Një person nga lista e zezë, të cilit iu ndalua hyrja në Britaninë e Madhe, fluturoi në atë vend nga Afganistani me një aeroplan ushtarak si pjesë e evakuimit nga aeroporti i Kabulit, raporton Sky News.
Personi i paidentifikuar arriti në Birmingham, por nuk ka detaje se çfarë i ka ndodhur, transmeton mediumi britanik.
Një zëdhënës i qeverisë tha se kishte njerëz në Afganistan që përbënin një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe publike.
"Për këtë arsye, qeveria po kryen kontrolle të hollësishme për të parandaluar hyrjen e atyre që dyshohen se janë militantë ose paraqesin një kërcënim sigurie në Britani," shtoi ai.
Sky News raporton se një zyrtar i lartë i policisë kufitare u tha ligjvënësve se pesë persona nga lista e zezë u përpoqën të largoheshin nga Afganistani me ndihmën britanike dhe se katër u ndaluan.
“Një person i pestë arriti të depërtojë në Birmingham”, tha ai.