Kira Yarmysh, zëdhënësja e kritikut të Kremlinit i cili për momentin është në burgim, Alexei Navalny, është larguar nga Rusia, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax të hënën, duke cituar dy burime anonime.
Një nga burimet tha se Yarmysh ka fluturuar në kryeqytetin finlandez Helsinki. Yarmysh nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Një gjykatë ruse vendosi 18 muaj kufizime në lirinë e saj të lëvizjes në fillim të këtij muaji, pasi e shpalli atë fajtore për shkeljen e rregullave të sigurisë COVID-19.
Autoritetet ruse kanë goditur ashpër opozitën para zgjedhjeve parlamentare muajin e ardhshëm dhe shumë nga aleatët më të shquar të Navalny janë larguar nga Rusia në vend që të përballen me kufizime ose burg shtëpiak, shkruan Reuters.
Vendimi i gjykatës e ndaloi Yarmysh të largohej nga shtëpia natën, të merrte pjesë në mitingje dhe të ndryshonte adresën e saj të shtëpisë pa njoftuar paraprakisht autoritetet e burgut.
Ajo u shpall fajtore për shkeljen e rregullave të sigurisë COVID-19 mbi atë që policia tha se ishte një protestë e paligjshme në mbështetje të Navalny dimrin e kaluar. Ajo ka thënë se akuza ishte e motivuar politikisht dhe ka apeluar.
Navalny për momentin është në burg për shkelje të lirimit me kusht në një rast përvetësimi, për të cilin ai thotë se ishte falsifikuar. Aleatët e Navalny akuzojnë autoritetet për përdorimin e ligjit për të shtypur zërat kundërshtues.