Fillimi i vitit të ri shkollor në veri të Anglisë më shumë dukej si qendër spitalore të premten teksa nxënësit prisnin në radhë për testime ndaj koronavirusit.
Salla sportive e shkollës është shndërruar në qendër të testimeve për nxënësit.
Punonjësit e shkollës, përfshirë edhe kontabilistët janë angazhuar që testimi të bëhet me lehtësi. Ekipet mjekësore kanë punuar pa pushim për testimin e dy mijë nxënësve.
Qeveria e kryeministrit Boris Johnson është duke tentuar që të kthejë nxënësit nëpër shkolla në një normalitet të ri. Qeveria ka hequr masat e distancës sociale dhe mbajtjen e maskave. Ajo ka thënë se nxënësit duhet të testohen rregullisht: dy herë në shkollë në fillim të gjysmëvjetorit dhe pastaj në shtëpi.
Deri më tani vetëm nxënësit mbi moshën 16-vjeçare mund të vaksinohen në Britaninë e Madhe.
Ndërkaq nxënësit janë të frikësuar me kthimin në banka shkollore. Pas një viti e gjysmë larg shkollës, të rinjtë britanik i frikësohen izolimeve të reja në rast shpërthimi të rasteve.
Ani pse çdo ditë konfirmohen nga 30 mijë raste të reja, numri i të shtruarve në spital dhe vdekjeve është në nivelet më të ulëta që prej fillimit të pandemisë.
Ky menaxhim i situatës me pandeminë është ndihmuar nga fushata e suksesshme e vaksinimit.