Policia ruse arrestoi tre gazetarë

Evropë

Policia ruse arrestoi tre gazetarë

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 06:22
Foto

Policia ruse arrestoi sot tre gazetarë që po protestonin para Ministrisë së Drejtësisë në Moskë për shkak të shtypjes së mediave të pavarura, njoftoi stacioni televiziv Dožd.

Tre gazetarë nga portali Važnie istorii (Tregime të rëndësishme), i cili merret me gazetarinë investigative, protestuan sot kundër vendimit të fundit të qeverisë për të etiketuar shtëpinë e tyre mediatike dhe stacionin e pavarur Dožd si “agjentë të huaj”.

Etiketimi si “agjent i huaj” nënkupton mbikëqyrje më të detajuar dhe mbart një kuptim nënçmues që mund të minojë besueshmërinë e mediave dhe perspektivat e tyre të reklamimit.

Gazetaret Irina Dolinjina, Alesija Marokovskaja dhe Polina Užvak u kërkuan autoriteteve të tërheqin ligjin që mundëson etiketimin e mediave dhe gazetarëve si “agjentë të huaj”.

Ata zhvilluan parulla të vogla me fjalët “Nuk ka agjentë të huaj, ka gazetarë”.

Autoritetet ruse kanë rritur presionin ndaj mediave të pavarura, gazetarëve, mbështetësve të opozitës dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut përpara zgjedhjeve parlamentare të 19 shtatorit. Shumë e panë votimin si një pjesë të rëndësishme të përpjekjeve të Presidentit rus Vladimir Putin për të çimentuar pushtetin para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Me reformat kushtetuese të vitit të kaluar, Putini 68-vjeçar i lejoi vetes një qëndrim të mundshëm në pushtet deri në vitin 2036.

Autoritetet kanë identifikuar media dhe gazetarë të shumtë të pavarur si “agjentë të huaj” muajt e fundit dhe kanë kontrolluar apartamentet e disa reporterëve të njohur.

Kremlini mohon shtypjen e lirisë së medias dhe këmbëngul se etiketa “agjent i huaj” nuk pengon punën e shtëpive të medias.

Sipas Ligjit për Agjentët e Huaj, këtë etiketë mund ta marrin organizatat joqeveritare dhe individët që marrin fonde nga jashtë dhe angazhohen në aktivitete që mund të klasifikohen si politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat