Pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Ege, Prof. Dr. Zafer Kurugöl ka shkaktuar një debat dhe një reagim të fortë në Turqi.
Në një program televiz Kurugol u shpreh se një foshnjeje 1 muajshe, i është injektuar gabimisht vaksina anti-covid, Pfizer në vend të vaksinës së Hepatitit –B.
Ky gabim është bërë vetëm njëherë dhe familja e foshnjes ishte informuar për situatën.
Por si ndodhi ngjarja sipas mediave turke?
Të enjten më 1 korrik familja e dërgoi foshnjën e tyre 1 muajshe te mjeku i familjes, për vaksinën e ditës së 30 ( vaksina e Hepatitit), në përputhje me orarin e vaksinimit të të porsalindurve, të përgatitur nga mjeku i familjes.
Pas vaksinimit nëna dhe foshnja u kthyen në shtëpi ndërsa babai shkoi në punë.
Pas 2-3 orësh ekipet që erdhën në shtëpi ku jetonte familja thanë se foshnjes i është dhënë gabimisht vaksina anti-covid në vend të vaksinës së hepatitit dhe se foshnja duhet të dërgohet urgjentisht në spital.
Foshnja u dërgua në Shërbimin e Urgjencës Pediatrike të Spitalit Universitar Ege, më pas në departamentin e infeksionit pediatrik të Spitalit Universitar Ege, ku u ndoq për 1 javë.
Në një deklaratë të bërë nga Ministria e Shëndetësisë turke për pretendimin e Kurugol thuhet se ministria ka një sistem të fortë dhe të sigurt të gjurmimit të vaksinave. Në deklaratë thuhej:
"I gjithë procesi, nga dalja nga magazina e Ministrisë tek aplikimi tek personi përkatës, ndiqet në mënyrë dixhitale me barkod. Një hetim i ri është nisur nga Ministria jonë, pas deklaratave të anëtarit të fakultetit".
Zyra e Kryeprokurorit Publik të Izmirit ka filluar një hetim kundër personave përgjegjës.