Pasi qeveria italiane vendosi detyrimin e pajisjes me pasaportë vaksinimi për të gjithë punëtorët, në sektorin shtetëror dhe atë privat nga muaji tetor, dhjetëra mijëra protestues kanë pushtuar sheshet e më shumë se 60 qyteteve në të gjithë vendin.
Ata kundërshtojnë vendimin duke e quajtur fashizëm të maskuar me masa shëndetësore. Në Milano situata u përshkallëzua në dhunë, qytetarët thyen kordonin e policisë dhe u përplasën me oficerët. Disa persona mbetën të plagosur e të tjerë u arrestuan.
Në Trieste, mijëra njerëz bllokuan rrugët kryesore dhe marshuan përpara gjykatave si dhe mediave. Me thirrjet për liri ata shprehen kundër vaksinimit, të cilin e quajnë eksperimental dhe kundërshtojnë masat kufizuese.
Shoferët e kamionëve kanë paralajmëruar se do të bllokojnë autostradat dhe rrugët kryesore këtë të hënë.
Ndërkohë edhe në Francë, jelekverdhët kanë pushtuar sërish rrugët e kryeqytetit për të kundërshtuar vaksinimin e detyruar dhe certifikatën e gjelbër. Sërish nuk janë shmangur skenat kaotike dhe përplasjet e dhunshme me autoritetet.
Sipas mediave vendase, rreth 60,000 njerëz u janë bashkuar protestave të ngjashme në të gjithë Francën.