Rusia ka arrestuar një drejtuesin e një prej kompanive kryesore në fushën e sigurisë kibernetike me akuzën e tradhtisë kombëtare.
Ilya Sachkov, 35 vjeç, u urdhërua nga një gjykatë në Moskë që të mbahet në arrest me burg për dy muaj, por pa dhënë më shumë detaje në lidhje me arsyet e plota të vendimit.
Agjencia e lajmeve ruse, Tass tha se Sachkov akuzohet se u ka ofruar informacione të ndjeshme agjencive të huaja të inteligjencës, ndërsa vetë 35-vjeçar ka mohuar këto akuza.
Sachkov është përgëzuar në të shkuarën nga Presidenti Vladimir Putin për punën e tij në fushën e sigurisë kibernetike dhe në atë rast, shefi i Kremlinit e prezantoi si modeli i të rinjve rusë dhe se ku mund të arrinin ata.
Kompania e Sachkov, Goup-IB është e specializuar në parandalimin e sulmeve kibernetike dhe ka si klient global edhe agjencinë ndërkombëtare të policisë, Interpol.
Group-IB tha se zyrat e kompanisë u kontrolluan ditën e mërkurë nga shërbimet sekrete ruse, por nuk tha më shumë se përse. Agjencia e lajmeve RIA tha se bastisje të tjera të zyrave pati edhe në Shën Pjetërburg.
Kompania deklaroi se menaxherët dhe avokatët e saj po punojnë për të sqaruar situatën, duke shprehur bindjen se themeluesi dhe presidenti i saj është i pafajshëm.
Akuzat për tradhti në Rusi janë raste ku pak detaje bëhen publike nga gjyqet e tilla dhe dënimi për personat që gjenden fajtorë shkon mbi 20 vjet.