Ministria e Shëndetësisë në Greqi ka njoftuar se vaksina e gripit dhe ajo e kundër covid-19 mund të injektohen në të njëjtën ditë. Mediat bëjnë me dije se autoritetet e vendit fqinj, kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër gripit, të cilën e njoftuan me 30 shtator, si periudhën e nisjes së vaksinimit. Ata kanë theksuar se ekziston shqetësimi i ndërveprimit të covid-19 me gripin.
Zyrtarët grekë të shëndetësisë thanë se vitin e kaluar nuk u regjistruan shumë raste, për shkak të respektimit të masave të covid, ndërkohë që informuan se vaksina e gripit ndryshon çdo vit prej mutacioneve të virusit. Ata njoftuan se vaksina e gripit dhe ajo anti-covid mund të injektohen në të njëjtën kohë.
“Nuk ka rekomandime për mbajtjen e intervaleve midis vaksinave.
CDC dhe të gjitha organet shkencore kanë deklaruar se vaksina kundër gripit mund të merret në të njëjtën kohë me vaksinën e koronavirusit, si dhe vaksinat e tjera” u shprehën ata.