Ndërsa çmimet e energjisë rriten në të gjithë Evropën, drejtori i gjigantit spanjoll të energjisë elektrike Iberdrola paralajmëroi se masat e vendosura nga Spanja, përfshirë rritja e taksave dhe çmimit janë dritëshkurtra dhe po kërcënojnë zgjerimin e energjisë elektrike të rinovueshme, siç është ajo me anë të hidrogjenit dhe panele diellore.
Rruga e Evropës drejt emetimit zero karbon në atmosferë deri në vitin 2050 do të kërkojë sasi të mëdha të energjisë elektrike të rinovueshme, përfshirë prodhimin përmes hidrogjenit që përftohet nga elektroliza e ujit.
Politikëbërësit po shikojnë hidrogjenin për të ruajtur energjinë dhe si një lëndë e parë për të dekarbonizuar industritë e karbonit intensiv si kimikatet, prodhimin e çelikut dhe në transportin e rëndë.
“Por, investimet në hidrogjenin e gjelbër tani janë në pritje në Spanjë për shkak të një takse të jashtëzakonshme të vendosur nga qeveria në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike”, tha Jose Galán, kryetar i ndërmarrjes spanjolle “Iberdrola”.
Madridi njoftoi planet më 14 shtator për të tërhequr 3 miliardë euro nga kompanitë e energjisë elektrike të cilat akuzohen se kanë rritur fitimet nga rritja e çmimit të gazit.
"Disa vende që vendosin tarifa të reja për burimet e rinovueshme për shkak të situatës së përkohshme të çmimeve të gazit dëmtojnë investitorët dhe vënë në rrezik investimet e ardhshme në burimet e rinovueshme", paralajmëroi Galán.
Evropa tashmë ka mbetur prapa në vendosjen e energjisë së rinovueshme dhe siguria rregullatore është vendimtare për të tërhequr investime, tha Galán në Samitin e Hidrogjenit të Rinovueshëm.
Komentet erdhën pas publikimit në shtator të një studimi që përshkruan potencialin e energjisë diellore në ndërtimin e një tregu energjitik plotësisht të rinovueshëm. Studimi nxirrte qytetin e Malagas si zona ku sigurohej sasia më e lartë e energjisë nga panelet diellore.
Por, investimet drejt kësaj energjie tani janë pezulluar në Spanjë për shkak të taksës së jashtëzakonshme të vendosur ndaj kompanive të energjisë. Iberdrola ka ndaluar tenderat për mallra dhe shërbime që lidhen me ndërtimin e projekteve të burimeve të rinovueshme në Spanjë, në mënyrë që të vlerësohet qëndrueshmëria e tyre financiare.