Tre persona janë dërguar në spital në Ayr pas një shpërthimi të dyshuar të shtëpisë në Skoci.
Sipas mediave të huaja, policia, shërbimi i zjarrfikësve dhe shërbimi i ambulancës – përfshirë një ambulancë ajrore – janë në vendin e ngjarjes në Gorse Park, një rrugë banimi në zonën Kincaidston të qytetit në Skocinë perëndimore, pas raportimeve për një shpërthim pak pas orës 7 të mbrëmjes, të hënën.
Një zëdhënës i shërbimit të ambulancës skoceze tha se tre persona u dërguan në spitalin Crosshouse në periferi të Kilmarnock aty pranë.
Gjashtë ambulanca, një ambulancë ajrore dhe tre “automjete të specializuara të operacioneve” u dërguan në vendngjarje.
Kompania e shpërndarjes së gazit SGN tha se po ndihmonte shërbimet e urgjencës për ta bërë zonën të sigurt.
Sipas raportimeve, shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa që edhe njerëz që jetojnë disa kilometra larg dëgjuan shpërthimin, ndërkohë që fqinjët janë evakuuar.
Alice Shaw, e cila jeton aty pranë, tha për Daily Record se shpërthimi ishte “tmerrues”.
Ajo tha: “Dukej sikur shpërtheu një bombë. E gjithë shtëpia jonë u trondit dhe gjithçka nga televizori tek fotografitë ranë nga muri”.