Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti të premten në Itali, në kuadër të samitit të vendeve anëtare të grupimit G20.
Takimi i parë i tij ishte me Papa Françeskun në Vatikan, në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara janë ndezur debatet mbi qëndrimin e presidentit katolik në mbështetje të të drejtave të abortit.
Selia e Shenjtë bëri të ditur se takimi kokë më kokë zgjati një orë e 15 minuta dhe më pas 15 minuta të tjera për të bërë foto dhe për të shkëmbyer dhuratat, në prani edhe të delegacioneve përkatëse.
Ndërkohë, takimi i mëparshëm me presidentin Trump në 2017-n zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa ai me Barack Obama në vitin 2014 rreth 50 minuta.
Gjatë takimit, Biden i tha atit të shenjtë se ai ishte luftëtari më i madh për paqen që kishte pare ndonjëherë.
Pas kësaj ai i dhuroi Papës një monedhë.
“Nuk e di nëse është e përshtatshme, por në Amerikë kemi një traditë, që presidenti ka të ashtuquajturën monedha e udhëheqjes, të cilën ua jep luftëtarëve dhe liderëve dhe ju jeni luftëtari më i madh për paqen që kam takuar ndonjëherë”, tha Biden.
Në kuadër të vizitës, Biden u takua edhe me kryeministrin e Italisë, Mario Draghi, si dhe me presidentin Sergio Mattarella. Klima, pandemia dhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së.
Në këtë aspekt, liderët italianë vlerësuan “kthimin e Amerikës”, siç e ka quajtur presidenti Biden riaktivizimin e Uashingtonit në politikën e jashtme, pas asaj “Amerika e Para”, e paraardhësit të tij Donald Trump.
Biden është takuar gjithashtu me homologun francez Emmanuel Macron, takimi i parë ky që nga nënshkrimi i marrëveshjes AUKUS, që ftohu marrëdhëniet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë.