Greta Thunberg protestoi bashkë me aktivistë të tjerë për klimën jashtë një prej bankave më të rëndësishme të Londrës, në prag të konferencës COP26.
Aktivistët kërkuan që sistemi financiar global të ndërpresë investimin e parave për përdorimin e karburanteve fosile.
Në Bruksel, një grup aktivistësh sollën një makinë të dëmtuar nga përmbytjet e vitit 2021 në Evropë në qendër të zonës financiare të qytetit, duke treguar pasojat e investimeve në karburantet tradicionale.
“Kjo është një makinë nga rajoni i Valonisë, ku këtë verë u verifikuan përmbytje të mëdha, të shkaktuara nga ndryshimet e klimës. Ne jemi këtu përpara bankës kombëtare, që është pjesëtare e Bankës Qendrore Evropiane, sepse BQE ka përmbytur ekonominë dhe sistemin financiar me mijëra miliardë euro për të stabilizuar një sistem që injoron ndryshimet e klimës. Ata kanë derdhur para për kompanitë e karburanteve dhe industritë ndotëse dhe rrjedhimisht vazhdojnë të nxisin ndryshimet e klimës”, tha Frank Vanaerschot, aktivist për klimën.
Në Paris, demonstruesit u mblodhën tek sheshi i Bursës, duke bërtitur “më pak para për fosilet dhe më shumë fonde për të ardhmen tonë”.
Aktivistët denoncuan financimin që bankat u bëjnë kompanive shumëkombëshe të naftës si “Total”, që së fundmi është akuzuar se ka injoruar rrezikun nga ndryshimet e klimës që vjen nga karburantet tradicionale.