Stoere shpreson të arrijnë objektivin në Cop26

Evropë

Stoere shpreson të arrijnë objektivin në Cop26

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 18:19
Jonas Gahr Stoere

"Unë mendoj se ne e dimë se çfarë duhet. Duhet angazhim i vazhdueshëm për të reduktuar emetimet", tha Stoere për korrespondentin e AA-së në COP26.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, në Konferencën e 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) tha se është e mundur të arrihet qëllimi për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius, përndryshe, "alternativa do të ishte shumë e keqe".

Duke theksuar se nevojitet vullnet për të reduktuar emetimet e metanit, për të mbrojtur pyjet dhe për të siguruar fonde për vendet në zhvillim, Stoere deklaroi se vendi i tij është i vendosur të reduktojë emetimet.

Duke argumentuar se është e mundur të arrihen të gjitha këto synime klimatike, Stoere tha: "Ne erdhëm në këtë konferencë me vullnet dhe vendosmëri. Sepse alternativa është shumë e keqe".

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Norvegjia renditet e 13-ta në prodhimin e naftës dhe e 8-ta në prodhimin e gazit natyror në botë. Norvegjia, e cila shkakton ndotje mjedisore në rajonin e Arktikut dhe lë një gjurmë të madhe karboni në botë, shumicën e të ardhurave të saj nga hidrokarburet i mban në fondin e pasurisë.

Në COP26, ku marrin pjesë rreth 25.000 delegatë nga 200 vende, pritet të arrihet një marrëveshje për kufizimin e rritjes së temperaturës globale në 1,5 gradë. Vendimet që do të merren si rezultat i negociatave që do të zgjasin dy javë do të jenë të detyrueshme.

Teksa temperaturat globale aktualisht parashikohen të rriten në 2,7 gradë, shkencëtarët thonë se emetimet duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030 për të arritur objektivat e vendosura në Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat