Sven Alkalaj, ambasador i Bosnje-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara (OKB), ka folur në një intervistë për Radio Sarajeva për dramën që po ndodh aktualisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për situatën në BeH.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) e planifikuar për sot, është anuluar dhe sipas ueb faqes zyrtare të organizatës, ajo është zhvendosur për nesër pasdite, por ende nuk ka orë të saktë. Seanca nuk mund të mbahet më larg se 5 nëntori kur skadon mandati i forcës së EUFOR-it.
Diplomati Alkalaj thotë se vetë mandati dhe rinovimi i mandatit të EUFOR-it nuk janë në pyetje.
“Ajo që vihet në pikëpyetje është vetë teksti i rezolutës, i cili e përmend këtë. Rusia dhe Kina janë shumë të vendosura në mos përmendjen e funksionit të Përfaqësuesit të Lartë, sepse nuk e kanë dhënë pëlqimin në kohën e duhur. Së dyti, flitet rreth asaj se si do të zhvillohet debati për BH-në, nëse Përfaqësuesit të Lartë do t'i jepet e drejta për të diskutuar apo për të qenë dikush tjetër që do ta zhvillojë debatin në ndonjë format... Se çfarë do të bëjë Këshilli i Sigurimit, unë nuk mund ta konfirmoj, sepse negociatat bëhen jashtë nesh. Ne nuk jemi palë negociuese. Ne nuk vendosim për këtë, as nuk marrim pjesë në bisedime dhe fjalime," tha ambasadori Alkalaj.
Duke komentuar raportin e Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt, i cili thotë se Bosnja përballet me "kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e pasluftës", se perspektivat për ndarje dhe konflikte të mëtejshme janë "shumë të sigurta", Alkalaj thekson se ka arsye për shqetësim.
"Ajo që thotë anëtari i Presidencës së BeH Milorad Dodik është se ai do të përgjigjet me forcë nëse zbatohet ndonjë gjë, mendoj se mesazhet janë të tmerrshme dhe nxitëse. Por çështja e balancës së fuqisë në OKB duhet të ndahet, dhe një çështje tjetër janë sanksionet dhe lëvizjet e mundshme kundër Dodikut nga SHBA dhe BE. Ato po zhvillohen në të njëjtën kohë. Kombet e Bashkuara mund të marrin një pozicion të caktuar. Duke pasur parasysh konfigurimin e forcave aktualisht dhe marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, mendoj se disa sanksione të rëndësishme nuk do të kalojnë dot. Ajo që mund të bëhet janë lëvizjet e SHBA-së dhe BE-së dhe këtë e vendos Departamenti i Shtetit, mes njerëzve të emëruar nga presidenti amerikan Joe Biden. Ajo për të cilën po flas është se Kombet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë gabimin e viteve 1990, sepse nuk kanë më justifikim për të mos bërë diçka, sepse gjithçka dihej e shihej...”, ka thënë ai.