Presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa ka shpallur zgjedhje të parakohshme pasi Parlamenti dështoi të miratonte buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Në një fjalim drejtuar kombit, Presidenti portugez theksoi se Parlamenti duhet të shpërndahej dhe njoftoi datën 30 Janar për zgjedhjet.
Kjo është hera e parë në historinë e Portugalisë që refuzohet të miratohet buxheti që kur vendi u bë demokraci në 1974.
Buxheti i vitit 2022, i propozuar nga Kryeministri Antonio Costa nuk kaloi, duke marrë mbështetjen e vetëm 108 ligjvënësve të Partisë së tij Socialiste, 117 ligjvënës votuan kundër dhe pesë abstenuan.
Vendi është zhytur në një krizë politike pasi deputetët hodhën poshtë buxhetin e shtetit javën e kaluar.
Refuzimi i buxhetit nga parlamenti nuk çon domosdoshmërisht në zgjedhje, por mesa duket Presidentit nuk i ka mbetur alternativë tjetër.
Zgjedhjet vijnë në një kohë kritike për vendin pasi Portugalia është gati të kërkojë rreth 45 miliardë Euro ndihmë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar ekonominë e dëmtuar për shkak të COVID-19.
Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e parakohshme, por sërish nuk do të ketë një shumicë parlamentare.