Ish-truproja i presidentit francez Emmanuel Macron është dënuar me tri vite burg pasi sulmoi disa protestues gjatë një tubimi në Paris.
Alexandre Benalla u vu në shënjestër të kritikave pas publikimit të një videoje ku shfaqej i veshur me uniformë e duke tërhequr zvarrë një grua si dhe duke goditur një burrë gjatë protestave të 1 majit në 2018.
Gjesti i 30-vjeçarit solli një krizë të madhe politike në zyrën e presidentit pasi rezultoi se edhe pse ishte pezulluar për dy javë pas publikimit të videos, ai vazhdoi të punonte për Macron.
Ai u vu në hetim në korrik e më pas u pushua nga puna.
Në fillim, Macron mbajti qëndrim të heshtur mbi skandalin, ndërsa më pas u shpreh se “i vetmi person përgjegjës në këtë rast jam unë dhe vetëm unë”.
Komisioni senatit francez propozoi procedim penal ndaj Benalla, duke argumentuar se siguria e presidentit ishte “kompromentuar” dhe se kishte pasur një sërë “gabimesh” në mënyrën si ishte trajtuar çështja.
Benalla gjithashtu u dënua të premten pasi kishte përdorur pasaportën e tij diplomatike disa kohë pasi ishte pushuar nga puna, si dhe për falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje.