Kryetari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, pas takimit me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit Gabriel Escobar, ka thënë se mesazhet e Escobarit janë se nuk do të ketë luftë dhe se Dejtoni është dhe mbetet burim i politikës amerikane në Bosnjë e Hercegovinë.
“Mesazhet sa i përket sjelljes së Beogradit është se Serbia nuk është e interesuar për konflikt në BeH. Perspektiva e rajonit është në proceset integruese të gjashtë vendeve të rajonit”, ka thënë Komshiq, raporton Dnevni Avaz. “Gjithashtu vlerësimi i zotit Escobar është se gjithçka që po ndodh në BeH është një krizë artificiale dhe se nuk ka asnjë bazë reale”.
Komshiq ka thënë se çdo gjë që ka të bëjë me Dejtonin nuk do të ndryshohet pa pëlqimin e SHBA-së.
“Çdo gjë që ka të bëjë me Dejtonin, dhe SHBA-ja është nënshkruese e Dejtonit, nuk do të ndryshohet pa pëlqimin e SHBA-së. U tha shprehimisht se nuk do të ketë luftë. Tani nëse ka budallenj të mëdheni në BeH dhe në rajon, ne jemi të bindur se ka. Çështja është nëse do të jemi të zgjuar apo budallenj e të shkatërrojmë paqen”, ka shtuar Komshiq.