Zëvendës Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me korrupsionin në Mal të Zi, ndërsa u zotua të mbështesë aspiratat euroatlantike të Podgoricës.
Zoti Escobar i cili po qëndron në Mal të Zi në vizitën e tij të parë si Përfaqësues i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, takoi të mërkurën presidentin malazez Milo Gjukanoviç.
Ambasada amerikane në Podgoricë, shkroi se zoti Escobar gjatë takimit “theksoi shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për korrupsionin e rrënjosur në vend dhe inkurajoi Malin e Zi që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në trajtimin e sfidave rajonale”.
During his meeting w/@predsjednik_cg on his first visit to 🇲🇪 as Special Rep. for the W. Balkans, Gabriel Escobar highlighted 🇺🇸 concern over entrenched corruption in the country & encouraged Montenegro to continue to play a constructive role in addressing regional challenges. pic.twitter.com/48AJ2Ljbp7
— US Embassy Podgorica (@USEmbassyMNE) November 10, 2021
Ndërkaq, në një komunikatë të zyrës së presidentit Gjukanoviç, thuhet se zoti Escobar është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin aspiratat euroatlantike të Malit të Zi dhe se qëllimi i vizitës është thellimi i mëtejshëm i partneritetit dhe aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Malit të Zi.
Komunikata e citon zotin Escobar të ketë thënë se “fakti që Mali i Zi ka arritur të mbetet i pavarur, shumetnik dhe i hapur ndaj njerëzve të besimeve dhe kombeve të ndryshme në kohë krize, e bën atë një partner strategjik të besueshëm të Shteteve të Bashkuara në rajon. Mali i Zi, një anëtar i NATO-s, duhet të jetë pjesë e BE-së dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin aspiratat euro-atlantike të Malit të Zi dhe qytetarëve të tij”.
Sipas komunikatës, të bashkëbiseduesit ranë dakord se problemet e paqëndrueshmërisë në rajon nuk mund të zgjidhen pa një perspektivë të qartë të integrimit evropian.
Zoti Escobar pritet të takohet edhe kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç dhe me kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiç si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe afaristë të Malit të Zi.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Por, fitorja e forcave proserbe dhe proruse në zgjedhjet e vitit 2020, ka shtuar shqetësimet për orientimin e vendit të vogël buzë Adriatikut që është pavarësuar nga Serbia në vitin 2006.
Zoti Escobar, e ka shpallur përparësi të punës së tij çuarjen përpara të procesit të integrimit më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si rrugë për të penguar destabilizimin e rajonit nga ndërhyrjet e vendeve të treta si Kina dhe Rusia./VOA