Disa organizata joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë protestuan të shtunën, më 13 nëntor në Beograd, duke kërkuar heqjen e një murali kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, që është vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.
Protesta "Murali duhet të rrëzohet", që u mbajt disa qindra metra larg nga murali kushtuar Mlladiqit, është një prej shumë tubimesh që qytetarët dhe OJQ-të kanë organizuar, pasi policia pengoi aktivistët që dëshironin të ngjyrosin mbi muralin në Ditën Ndërkombëtare Kundër Fashizmit, më 9 nëntor.
Organizatorët e protestës thanë se është koha që shteti i Serbisë të ndalojë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, për të cilin Ratko Mlladiq, si gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërspka, u dënua me burgim të përjetshëm në Hagë. Protestuesit po ashtu kërkuan që Serbia të ndryshojë qëndrimin ndaj krimeve të luftës, "t’u ngrehë monumente viktimave, jo kriminelëve".
![Image](/media/botasot.info/images/2021/November/13/auto_s31636829920.jpg)
Ndonëse ishte paralajmëruar se pjesëmarrësit në protestë, pas fjalimeve, do të drejtoheshin në rrugën Njegosheva, ku është murali i Ratko Mlladiqit, nga ky plan, është hequr dorë për arsye sigurie.
"Ka shumë policë, ka shumë djathtistë. Ne jemi njerëz të mirë dhe nuk duam të ndodhë ndonjë incident", u tha të pranishmëve, aktivistja për të drejtat e njeriut Aida Çoroviq.
Më 9 nëntor, Çoroviq u arrestua sepse hodhi vezë në muralin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë nga Gjykata e Hagës.
Gjatë protestës, siç raportuan gazetarët e Radios Evropa e Lirë, policia përmes një kordoni ndau djathtistët nga protestuesit.
Mbështetësit e të djathtës brohoritën mesazhe mbështetjeje për Mlladiqin dhe fyen protestuesit që po kërkojnë heqjen e muralit. Ndërkaq, prorotestuesit në anën tjetër, i kanë quajtur të djathtët “fashistë”.
Murali me portretin e Mlladiqit për katër muaj po qëndron në fasadën e një ndërtese që gjendet në kryqëzimin e rrugëve Njegosheva dhe Alleksa Nenadoviqit.
Një autor i panjohur e pikturoi muralin në fund të korrikut të këtij viti, një muaj pasi gjykata në Hagë konfirmoi burgimin e përjetshëm ndaj Ratko Mlladiqit më 8 qershor. Shpjegimi i policisë për ndalimin e tubimit të 9 nëntorit, në të cilin ishte paraparë që të pikturohej murali, ishte se ekzistonte rreziku i konfliktit fizik të ndërsjellë (përkrahësve dhe kundërshtarëve të tubimit të paralajmëruar) dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Më 10 nëntor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se policia i ka mbrojtur qytetarët nga konfliktet e ndërsjella. Koalicioni qeverisës në Serbi, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit, nuk e pranon që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Zyrtarët e lartë shtetërorë thonë se një "krim i tmerrshëm" ndodhi në Srebrenicë./REL