48-vjetori i revoltës studentore në Greqi/ Protesta vijon të jetë e qetë, 6 mijë policë janë në gatishmëri

Evropë

48-vjetori i revoltës studentore në Greqi/ Protesta vijon të jetë e qetë, 6 mijë policë janë në gatishmëri

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 16:07
Foto

Protesta e grupimeve të majta greke në kujtim të 48-vjetorit të revoltës studentore që u shtyp me tanke nga junta ushtarake ka vazhduar e qetë.

Mijëra protestues hodhën parulla kundër qeverisë greke dhe SHBA-së. Drejtuesi i protestës ka mbërritur afër ambasadës amerikane në Athinë, ndërsa më shumë se 6 mijë policë janë angazhuar për ruajtjen e rendit.

Greqia përkujton sot 48 vjetorin e revoltës studentore që u shtyp me tanke prej juntës së kolonelëve.

Në politeknikumin e Athinës që prej mëngjesit të mërkurës mijëra qytetarë vendosin lule dhe kurora në kujtim të studentëve që humbën jetën në ato ditë të errëta të 17 nëntorit të 1973.

Edhe presidentja e vendit Katerina Sakelaropoulou zgjodhi orët e mëngjesit për të vendosur kurorën e saj.

Mes të pranishmëve ndodheshin edhe disa anëtarë të grupimeve anarkiste, të cilët hodhën parulla kundër qeverisë dhe presidentes,por situata nuk u përshkallëzua më tej.

Policia greke ka vënë në alarm më shumë se 6000 forca policore,helikopterë  dhe dronë për ruajtjen e sigurisë,ndërsa shumë rrugë janë mbyllur në qendër të Athinës.

Autoritetet njoftuan mbylljen e disa stacioneve të metrosë, ndërsa gjatë orëve të pasdites janë paralajmëruar protesta të cilat kulmojnë me protestën e përvitshme jashtë ambasadës amerikane.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore u kanë bërë apel pjesëmarrsve në protesta,që të marrin masa mbrojtëse për të shmangur përhapjen e covid,pasi shifrat e infektimeve janë teper alarmante.

Një ditë më parë u diagnostikuan me Covid më shumë se 8.129 persona, ndërsa sistemi shëndetësor grek ndodhet një hap larg kolapsit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat