7 persona mbetën të plagosur pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen në Rotterdam të Holandës kundër masave të rrepta qeveritare që synojnë frenimin e pandemisë.
Kryebashkiaku Ahmed Aboutaleb i tha gazetarëve se “policët u detyruan të nxjerrin armët” teksa tubuesit shkatërronin dyqane, dogjën makina policie e kosha mbeturinash e i qëlluan efektivët me gurë dhe fishekzjarre.
Ai e pranoi se në mesin e përshkallëzimit të fortë të dhunës, forcat e rendit kanë shtënë mbi demonstruesit, që refuzojnë të binden.
Ekzekutivi holandez po planifikon prezantimin e një projektligji, i cili i lejon bizneseve ta kufizojnë sistemin e lejeve të koronavirusit vetëm për personat që janë plotësisht të vaksinuar ose që e kanë kaluar sëmundjen; as testi negativ nuk do të ketë më vlerë.
Javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi gjatë periudhës së fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus.
Në Roterdam u shpall gjendje e jashtëzakonshme ndërsa stacioni kryesor i trenit u mbyll. Protesta të dhunshme pati dhe në Hagë.
Holanda vendosi kufizime të reja pasi regjistroi numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Masa përfshin mbylljen e restoranteve dhe dyqaneve më herët ndërsa ngjarjet sportive duhet të zhvillohen pa praninë e publikut.