Italia dhe Kroacia janë vënë përballë njëra-tjetrës në një betejë për të drejtën e origjinalitetit të verës së famshme, që në Itali quhet “Prosecco”.
Teksa Komisioni Europian përgatitet të diskutojë kërkesën e Kroacisë për të regjistruar verën e saj me emrin ‘Proshek’, shtete të tjera të Europës janë shprehur në mbështetje të Italisë. Vendimi mund të krijojë që precedent të rëndësishëm në kontinent.
Këtë muaj qeveria italiane dorëzoi ankesat pranë komisionit të Bashkimit Europian, pasi mblodhi opinionet nga të gjithë sektorët e kësaj industrie. Xhan Marko Centinajo, zëvendësministri i Bujqësisë është në krye të ekipit Italian që kundërshton pretendimet kroate.
“Qëllimi i iniciativës tonë është mbrojtja e konsumatorit. Kur një konsumator gjendet përballë të dyja verërave, ‘Prosecco’ dhe ‘Proshek’, ai mund të ngatërrohet disi. Ka shumë Italianë që mendojnë se ‘Proshek’ është thjesht përkthimi anglisht i fjalës ‘Prosecco’”, tha zyrtari italian.
Zv.ministri Centenajo shpjegon se pavarësisht faktit që marka “made in Italy” është vënë nën kërcënim disa herë, ky rast është unik.
Shteti ballkanas këmbëngul se vera ‘Proshek’ është pjesë e trashëgimisë së vendit, teksa daton që nga koha e Perandorisë Romake, por prodhuesit italianë mendojnë se marka kroate është thjesht një përkthim i vendit të origjinës, ‘Prosecco’.
“Është ende e mundur të gjesh shishe që janë prodhuar nga prodhuesit e verës italiane të cilat datojnë në shekullin e kaluar me emrin shampanjë, për shembull. E njëjta gjë ndodhi me kroatët në vitin 1700, kur emri që ata përdorën për t’iu referuar verës së tyre, thjesht do të sillte emërtimin origjinal që lidhet me vendndodhjen e quajtur ‘Prosecco’, që gjithashtu ka toponimin slloven të Proshek”, shprehet Luca Giavi, drejtor i përgjithshëm i konsorciumit “Prosecco”.
Por të flasësh për verën ‘Prosecco’ nënkupton edhe t’i referohesh territorit nga ku kjo verë prodhohet, siç janë kodrat e “Conegliano dhe Valdobbiadene”, të cilat u shpallën si trashëgimi botërore e UNESCO-s në vitin 2019. Një arsye me shume pse Italia kundërshton lëvizjen e Kroacisë.
Vera ‘Prosecco’ është një nga produktet më të shitura të Italisë në mbarë botën. Dhe është gjithashtu një nga sektorët më fitimprurës, me shitje vjetore prej 2.4 miliardë eurosh, pjesa më e madhe e eksportuar jashtë gadishullit Apenin. Cilido qoftë vendimi i Komisionit, Italia nuk është i vetmi vend europian që pret rezultatin përfundimtar.