Norvegjia është shprehur e zemëruar pasi dy gazetarë televizivë u arrestuan në Katar, ku raportonin për kushtet e punës në stadiume para turneut të Kupës së Botës të vitit të ardhshëm.
Gazetarët e NRK-së, Halvor Ekeland dhe Lokman Ghorbani u mbajtën në burg për mbi 30 orë, ndërsa pamjet që ata mblodhën nga një kamp pune emigrantësh u fshinë.
Qeveria e Katarit ka akuzuar gazetarët e NRK-së për “shkelje të pronës private dhe filmim pa leje”.
Por kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre është përgjigjur duke deklaruar se arrestimi i tyre ishte “i papranueshëm”.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka thirrur gjithashtu ambasadorin e Katarit në Oslo.
NRK është një transmetues publik norvegjez që është media më e madhe në vend, shkrun Euronews.
Unioni Norvegjez i Gazetarëve dhe Federata e Futbollit të vendit kanë kritikuar ndalimin e gazetarëve.
Katari është përballur me një kontroll të shtuar mbi trajtimin e punëtorëve migrantë pasi fitoi të drejtën për të pritur turneun e ardhshëm.
Vendi kundërshton me forcë kritikat, duke thënë se ka reformuar ligjet e tij të punës dhe ka futur një pagë minimale.
Norvegjia kishte mbajtur një votim në qershor për bojkotimin e mundshëm të Kupës së Botës 2022, por kjo u refuzua nga shoqata e futbollit të vendit.
Norvegjia nuk është kualifikuar për turneun dhe ka veshur fanella në një ndeshje kualifikuese në mars duke shprehur shqetësimin për të drejtat e njeriut në Katar.