Në Zvicër u votua sot për Ligjin Covid-19; çfarë nënkupton kjo konkretisht?

Evropë

Në Zvicër u votua sot për Ligjin Covid-19; çfarë nënkupton kjo konkretisht?

Nga: Lirim Begzati Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 14:47
Zvicër

Pa asnjë befasi, shumica dërmuese e votuesve votoi në favor të ligjit. Një ligj ky i rëndësishëm, ku duhet veçuar faktin se nuk u votua aspak për detyrimin e pakushtëzuar të vaksinimit. U votua sidomos për krijimin e një baze ligjore e cila iu mundëson autoriteteve shtetërore që të ndërmarrin sadopak më lirshëm disa veprime me qëllim të mbajtjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të domosdoshme për luftimin e pandemisë dhe nevojave për ruajtjen e interesave shoqërore-ekonomike të vendit.

Si mund të sqarohet kjo me ca fjalë?

Ashtu si edhe në vendet tjera, edhe në Zvicër, vaksinimi shkakton probleme juridike dhe shoqërorë komplekse. Për sa i përket gjendjes juridike, është pra e pamundshme sot me pasur përgjigje të qarta dhe bindëse, si në planin ligjor ashtu edhe në atë të praktikës gjyqësore.

Në mungesë të një qartësie juridike, aplikohen praktikat e shtytjes për vaksinim nga autoritetet, si një zgjidhje kjo për me e shmangur së paku përkeqësimin e gjendjes; prezantohen vlerësime specifike që varen nga rasti në rast, me qëllim që të analizohet dhe ofrohet një ekuilibër i drejt për interesat e gjithmbarshme të shoqërisë zvicerane.

Në të drejtën zvicerane ekziston vetëm një rregull jashtëzakonisht e kufizuar e cila mundëson detyrimin për vaksinimin. Kurse kjo rregull parimore parashikohet në nenin 22 të ligjit për epidemitë. Kjo mundësi varet nga vendimet kantonale dhe nuk mund të përgjithësohet, pasi që ajo kufizohet vetëm për grupe të caktuara të personave të identifikuar sipas ligjit në fjalë.

Kjo është e vetmja rregull ligjore shprehimore mbi vaksinimin në Zvicër. Mirëpo, kjo rregull nuk ofron aspak ndonjë përgjigje adekuate për vaksinimin në kontestin aktual të pandemisë.

Atëherë, çka përmban ligji Covid-19?

Një rëndësi e veçantë i kushtohet çështjes së vaksinimit dhe certifikatës Covid. Sipas këtij ligji, praktikat e imponimit, për shembull, të prezantimit sistematikë të një certifikate të vaksinës (përfshirë këtu edhe të testit negativ) duhet të konsiderohen si një akt në përputhje me ligjin e jo si një diskriminim ndaj personave të tjerë, të cilët nuk janë të vaksinuar. Kjo vlen posaçërisht për shembujt që tashmë aplikohen në fusha të ndryshme (restorante, aktivitete kulturore, etj.).

Kundërshtarët e ligjit e kanë posaçërisht në shënjestër çështjen e diskriminimit, pasi që sipas tyre nga ligji përkatës burojnë diskriminime të shumta. Në mesin e tyre natyrisht se më tepër të zëshëm janë kundërshtarët e praktikave të vaksinimit.

Përveç kësaj, përmes këtij ligji krijohet një bazë e shëndosh ligjore për mbështetjen e nevojshme të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë që kanë nevojë për ndihmë në kuadër të masave Covid, përfshirë këtu edhe grupet e ndryshme të personave të ballafaquar me pasojat e pandemisë (për shembull, në raste të papunësisë, etj.).

Dy sferave të sipërpërmendura iu shtohet në këtë ligj edhe krijimi i një baze ligjore në fushën e manifestimeve, apo ndryshe me thënë qartësohet veprimi institucional për lejimin e organizmit të aktiviteteve të ndryshme sportive, kulturore, etj., duke i definuar kështu më qartë kriteret që kanë të bëjnë me mundësitë e organizimit të tyre dhe kushtëzimin e certifikatës Covid.

Me gjithë ambiciet e shpalosura të këtij ligji, nuk mund të flasim për një arritje të madhe pasi që ligji i tillë do të ballafaqohet me siguri me sfidat e radhës, me ndryshime të tjera, përfshirë këtu edhe eventualitetin e ç’fuqizimit të tij me kalimin e kohës.

Sa për konkludim

Nën prizmën e të drejtave themelore, vaksinimi përbën një nga komponentët themelore, jo vetëm të shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut por edhe një përgjegjësi individuale, kolektive dhe shtetërorë. Janë pikërisht këto komponente ato të cilat e kanë vështirë t’a gjejnë ekuilibrin e duhur.

Duket megjithatë e paevitueshme se marrë parasysh zhvillimet aktuale, në të ardhmen, çështja e vaksinimit të detyrueshëm do të përballet edhe më tutje me sfidat e një shoqërie demokratike, me nevojën e një konsensusi të përgjithshëm dhe të solidaritetit shoqëror.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat