Një kirurge në Austri u ndëshkua pasi në maj i preu këmbën e djathtë pacientit dhe gabimi u zbulua dy ditë më vonë.
Një gjykatë në Linz dënoi 43-vjeçaren për neglizhencë të rëndë me 2700 euro gjobë. 5000 euro dëmshpërblim iu dha gruas së pacientit, i cili vdiq pa mbërritur e gjithë çështja në gjykatë.
Pacienti u shtrua në spital në Freistadt majin e kaluar për një amputim të këmbës, por kirurgia shënoi këmbën e gabuar, raporton AFP.
Gabimi u konstatua gjatë ndërrimit të fashës dhe më pas pacientit iu tha se edhe këmba tjetër do t'i amputohej.
Spitali më pas njoftoi se incidenti ishte "rezultat i një sërë rrethanash fatkeqe". Drejtori i spitalit kërkoi falje publike.
Në gjykatë, kirurgu tha se kishte një gabim në “zinxhirin komandues” në sallën e operacionit.
E pyetur se pse ka shënuar këmbën e djathtë dhe jo të majtën, ajo është përgjigjur: Nuk e di.
Pas ngjarjes, ajo u transferua në një spital tjetër. Një rast i ngjashëm ka ndodhur në vitin 1995, kur një mjek në SHBA gjatë një operacioni kuptoi se po i priste këmbën e gabuar një pacienti me diabet, por u detyrua të vazhdonte pasi kishte prerë tashmë muskulin, tendinat kyçe dhe ligamentet.