Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson kërkoi falje sot për videon ku shfaqet stafi i tij duke qeshur me një raport të një ndeje në 10 Downing Street, gjatë një bllokimi total në vitin 2020 shkaku i coronavirusit.
Ai është zemëruar me veprimin e tyre pasi që festat ishin të ndaluara për të gjithë duke përfshirë edhe për punonjësit qeveritar dhe shtetëror, raporton bbc.
“U zemërova sepse e pashë atë video. Kërkoj falje pa rezervë për fyerjen e shkaktuar nga ajo video dhe kërkoj falje për përshtypjen që la ajo. Por, e përsëris, kur u shfaqën thashethemet, ata më siguruan disa herë se nuk kishte festë dhe se masat nuk ishin shkelur”, tha Johnson.
Televizioni britanik “ITV News” publikoi një video të dhjetorit të kaluar, ku krijohet përshtypja se zyrtarët e kryeministrisë britanike po bëjnë shaka për mbajtjen e festës së Krishtlindjes në Downing Street, vetëm katër ditë pas futjes së masave të rrepta.
Stafi i zyrës së kryeministrit Boris Johnson mund të dëgjohet në video duke qeshur dhe përmendur “djathë dhe verë”, ndërsa zëdhënësja e atëhershme e kryeministrit, Johnson, Allegra Stratton, dëgjohet duke pohuar se “përfundimisht nuk kishte distancim social”.