Franca nuk do të imponojë masa të reja pavarësisht variantit, Omicron

Evropë

Franca nuk do të imponojë masa të reja pavarësisht variantit, Omicron

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 10:28
Një qytetar me maskë, duke kaluar afër vendit më ikonik në Paris, Kullës së Ajfelit. Fotografi nga arkivi.

Franca nuk planifikon të imponojë masa të reja tash për tash, pavarësisht rrezikut nga varianti i ri, Omicron, tha më 14 dhjetor zëdhënësi i Qeverisë franceze, Gabriel Attal.

“Aktualisht janë rreth 130 raste të konfirmuara me variantin, Omicron”, tha Attal duke shtuar se Qeveria franceze vazhdimisht është duke e monitoruar situatën.

Në anën tjetër, Franca pritet të goditet nga vala e gjashtë e koronavirusit, muajin e ardhshëm pas paraqitjes së variantit të ri, pohuan ekspertët shëndetësorë spitalorë në Francë, shkruan Reuters.

“Nuk e thamë asnjë fjalë lidhur me valën e gjashtë, e që është Omicron, që do të ndodhë më vonë, në janar”, tha Martin Hirsch, udhëheqës i grupit spitalor parisien, AP-HP, ndryshe sistemi më i madh spitalor në Evropë.

Njëkohësisht, Franca ende po ballafaqohet me valën e pestë dhe variantin Delta, pohojnë mjekët.

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron – i raportuar fillimisht në Afrikën e Jugut – megjithatë ka nxitur alarm global, me mbyllje të kufijve dhe kufizime të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se varianti i ri i koronavirusit Omicron paraqet rrezik të madh për rritjen e infeksioneve në të gjithë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat