Me fërshëllima e brohoritje, prindërit kroatë po kundërshtojnë imunizimin e fëmijëve ndaj Covid-19.
Qindra prej tyre u mblodhën, të mërkurën, përpara selisë së qeverisë në kryeqytetin kroat të Zagrebit, kundër planeve të saj për të vaksinuar të vegjlit e moshës nga 5 deri në 12 vjeç.
Me thirrjet “Mos i vrisni fëmijët tanë!” dhe “Ne nuk do t’jua japim fëmijët tanë”, ata kërkuan ndaljen e këtij procesi.
Protesta u bë ndonëse vaksinat për fëmijët janë vullnetare në të gjitha vendet e BE-së dhe kërkojnë miratimin e prindërve.
Por qasje tjetër ndaj vaksinimit të fëmijëve pati në Greqi, e cila të mërkurën nisi me imunizimin e moshave nga 5 deri në 12 vjeç.
Madje, prindërit këtu, të frikësuar nga përhapja e omikronit, caktuan mbi 30 mijë termine injektimi.
E shpëtim nga ky lloj i variantit të ri nuk do të ketë asnjë vend në Bashkimin Evropan.
Këtë gjë e paralajmëroi shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën, e cila tha se varianti i ri po bëhet dominues në Evropë.
Për ta mposhtur tipin e ri të virusit, kompania Pfizer ka krijuar një pilulë, e cila thuhet se ka efekt ndaj variantit Omicron.
Ilaçi, që është në pritje të autorizimit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, thuhet se redukton shtrirjet në spital dhe vdekjet me rreth 89% midis të rriturve me rrezik të lartë, kur merret menjëherë pas simptomave fillestare të Covid-19.