Strategjia e Britanisë së Madhe kundër Covid është e bazuar e gjitha te vaksinimi dhe doza përforcuese për t’i bërë ballë valës së pazakonte të infektimeve që po shkakton varianti Omicron.
Duke qëndruar pas një podimi me shënimin “Merr vaksinën përforcuese tani”, Boris Johnson përsëriti mesazhin se është jetike për vendin që njerëzit të marrin dozat përforcuese në mënyrë që të shmangen masat kufizuese më të ashpra.
Johnson nuk njoftoi ndonjë kufizim të ri, por as e përjashtoi si mundësi këtë, nisur nga parashikimet e zymta të autoriteteve që thonë se 1 milionë britanikë mund t’i festojnë të izoluar Krishtlindjet për shkak se mund të jenë pozitivë me Covid.
Britania e Madhe regjistroi të mërkurën numrin rekordin e infektimeve të reja, plot 78,610. Kjo shifër është më e larta që nga nisja e pandemisë në vitin 2020.
Autoritetet thonë se duhet të bëhet kujdes edhe në lidhje me informacionet që po përhapen se Omicron nuk shkakton simptoma të rënda, nisur nga disa të dhëna të dyshimta nga Afrika e Jugut, sipas të cilave numri i shtrimeve në spital po bie që prej shfaqjes së Omicron.
Në vend të kësaj, autoritetet shëndetësore britanike paralajmërojnë se do të ketë një numër të konsiderueshëm pacientësh Omicron të shtruar në spitale në javët e ardhshme.