Dy nga sindikatat më të mëdha të Italisë organizuan një protestë të madhe për të kundërshtuar politikat ekonomike dhe buxhetore të qeverisë së Kryeministrit Mario Draghi.
Mijëra italianë u mblodhën në qendër të Romës duke valëvitur flamuj të kuq dhe blu ku akuzuan qeverinë se po injoron problemet e tyre ndërsa përballen me një rritje të kostove të energjisë elektrike. Ata kërkojnë më shumë ndihmë për punëtorët me paga të ulëta.
“Ne jemi këtu sepse besojmë se kemi nevojë për një qasje të vërtetë demokratike ndaj problemeve të vendit. Ne duam të përfshihemi dhe duam që zëri i punëtorëve, të cilët e kanë mbajtur vendin në këmbë për dy vitet e fundit, pavarësisht fatkeqësisë globale, të dëgjohet me të vërtetë”.
Sindikatat kanë renditur një sërë kërkesash, lidhur me politikat e qeverisë për pensionet, shkollat dhe industrinë.
“Paketa buxhetore e vendosur nga qeveria Draghi penalizon 85% të punonjësve dhe pensionistëve. Kjo është arsyeja e parë pse ne po demonstrojmë, por edhe sepse duhet ndryshuar reforma e pensioneve. Pensioni për personat mbi 67/68 vjeç nuk është i drejtë, brezi im do të dalë në pension në moshën 71-vjeç nëse nuk ndryshohet ligji”.
“Duam më shumë para për pensionet tona, paguajmë shumë taksa”.
Sindikatat nënvizojnë nevojën për një “reformë të sistemit të sigurimeve shoqërore që të shikojë mbi të gjitha të rinjtë”.
Kundërshtimi i tyre kryesor është për uljen e taksave të parashikuara prej 8 miliardë Eurosh, për të cilat sindikatat thonë se favorizojnë ata që fitojnë më shumë. Rregullat e pensionit dhe kontratat e punës janë shkaqe të tjera të mosmarrëveshjeve me qeverinë e Draghi.