Vështirësohet hyrja në Itali për shtetasit e BE-së

Evropë

Vështirësohet hyrja në Itali për shtetasit e BE-së

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Roma po përgatitet për t’u mbrojtur nga varianti Omikron i koronavirusit. Duke nisur nga dita e enjte (16.12) kanë hyrë në fuqi rregulla më të ashpra për udhëtarët nga venet e BE-së.  

Udhëtarët nga vendet e BE-së për të hyrë në Itali duke nisur nga dita e enjte (16.12) do të duhet që t'u nënshtrohen rregullave më të forta anti-COVID. Të gjithë udhëtarët – edhe ata të vaksinuar – për të hyrë në Itali duhet të paraqesin një test negativ ndaj koronavirusit, komunikoi ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, i cili nënshkroi dekretin përkatës. Të pavaksinuarit pavarësisht testit do të duhet të kalojnë edhe një karantinim pesë ditor.

Deri tani për shtetasit e BE për hyrjen e në Itali mjaftonte vetëm dëshmia e vaksinimit, shërbimit ose testi negativ. Rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 31 janar.

Në sfondin e përhapjes së variantit Omikron të koronavirusit edhe në Itali po shtohet frika nga rritja e numrit të infeksioneve. Gjatë muajve të fundit Italia përmes aplikimit të pasaportës së gjelbër të shëndetit e ka pasur mirë nën kontroll situatën pandemike, pothuajse kudo aksesi lejohet vetëm duke paraqitur kartën e gjelbër. Të martën (14.12) në Itali u regjistruan mbi 20.000 infeksine të reja dhe 120 të vdekur me virusin.

Certifikatat vlejnë vetëm për nëntë muaj

Image
Foto ilustrim

Ndaj aktualisht në mbarë Italinë ka hyrë në fuqi shtrirja e detyrimit për vaksinim. Personeli i shkollave, në administratë dhe në sektorin e shëndetësisë, si dhe në polici, ushtri e tek ekipet e shpëtimit duhet të imunizohet ndaj COVID-19, në mënyrë që të lejohet të vazhdojë punën. Qeveria e kryeministrit Mario Draghi në fund të nëntorit ra dakord për zgjerimin e grupeve që duhet t'i nënshtrohen vaksinimit. Deri tani detyrimi për vaksinim në Itali vlente vetëm për personelin e shërbimit shëndetësor.

Personeli i spitaleve tani duhet të marrë dozën e tretë të vaksinës. Me skadimin e certifikatës së vaksinimit pas nëntë muajsh bëhet i nevojshëm edhe rifreskimi i vaksinës për ata që e kanë të detyrueshem vaksinimin. Përjashtim bëhet vetëm për njerëzit, gjendja shëndetësore e të cilëve mund të rrezikohej prej vaksinës.

Gjoba deri në 1500 euro

Kush nuk i përmbahet detyrimit për vaksinim, duhet të llogarisë me pushim nga puna ose heqjen e pagës. Kush do të punojë si i pavaksinuar, kërcënohet nga gjoba me 600 deri në 1500 euro. Për kontrollet për ruajtjen e rregullave të reja janë përgjegjës drejtuesit e institucionit përkatës. Nëse kjo nuk bëhet, edhe drejtuesit kërcënohen me gjobitje nga 400 deri në 1000 euro./DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat