Pas rritjes së shkallës të mbështetjes së finlandezëve për anëtarësimin e Finlandës në NATO dhe deklaratës së Presidentit finlandez Sauli Niinistö, i cili iu referua NATO-s si një faktor stabilizues në Evropë dhe përmendi “Politikën e dyerve të hapura” të saj për anëtarët e rinj potencialë, duke përfshirë Finlandën, Rusia ka filluar ta rrisë presionin ndaj Finlandës për anëtarësimin e mundshëm në NATO, thuhet në shkrimin e Euroactiv.
Ndryshimi i tonit të Rusisë në krahasim me vitet e mëparshme po ushtron presion në rritje mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë të Finlandës.
Deklaratat e presidentit rus se “Rusia dëshiron garanci ndërkombëtare të sigurisë ligjore” që përjashtojnë “lëvizjen e mëtejshme të NATO-s drejt lindjes”, vijnë pasi Putin zhvilloi një telefonatë me presidentin finlandez Sauli Niinistö për krizën në Ukrainë të martën.
Ndërsa Rusia ka kundërshtuar gjithmonë anëtarët e NATO-s në kufi me territorin e saj, ajo gjithashtu ka thënë se i takon Finlandës të vendosë nëse dëshiron t’i bashkohet aleancës ushtarake dhe se Rusia do të respektojë rezultatin.
Tani, duket se Kremlini po përpiqet të kthejë kohën pas dhe të rivendosë sferat e ndikimit në Evropë.
Linjat e politikës së jashtme dhe të sigurisë të Finlandës u deklaruan për herë të fundit në raportin e mbrojtjes të qeverisë të publikuar më 9 shtator të këtij viti. Sipas raportit, “ruajtja e hapësirës kombëtare për manovrim dhe liria e zgjedhjes janë gjithashtu pjesë integrale e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të Finlandës. Kjo ruan mundësinë e anëtarësimit në një aleancë ushtarake dhe aplikimit për anëtarësim në NATO”.