Agjencia Finlandeze e Sigurisë Bërthamore i ka dhënë leje reaktorit të pestë bërthamor në Finlandë për të filluar operimin e testimit me fuqi të ulët.
Reaktori Olkiluoto 3 (OL3) duhet të fillojë prodhimin e rregullt të energjisë elektrike në qershor 2022 dhe do të jetë reaktori më i madh në Evropë, raporton sot EURACTIV me seli në Bruksel.
Reaktori pret të rrisë kapacitetin energjetik të Finlandës me 1600 megavat, që do të mbulonte rreth 15% të konsumit të energjisë elektrike në vend. Prodhimi maksimal i energjisë elektrike nga era në Finlandë, për krahasim, është 2.500 megavat.
Me fillimin e funksionimit të reaktorit Olkiluoto 3, pjesa e energjisë elektrike të marrë nga termocentralet bërthamore do të rritet në Finlandë në rreth 40%.
Reaktori, i vendosur në bregun perëndimor të Finlandës, do të rrisë shumë pavarësinë energjetike të vendit, i cili importon energji elektrike nga Suedia dhe Rusia. Se sa dhe si do të ndikojë në çmimet aktuale të energjisë është ende e paqartë.
Projekti i ndërtimit të reaktorit është shoqëruar me probleme teknike dhe mosmarrëveshje ligjore mbi kostot në një konsorcium që përbënte koncernin francez të energjisë bërthamore AREVA NP, i quajtur tani Framatome, filialin e tij gjerman AREVA GmbH dhe Siemens.
Reaktori ishte menduar të përfundonte në vitin 2009 me një kosto totale prej 3.2 miliardë euro. Kostoja përfundimtare e ndërtimit 13 vjet më vonë vlerësohet në 8.5 miliardë euro.
Në Finlandë, një pjesë e madhe e qytetarëve mbështesin energjinë bërthamore. Një studim i kryer nga shoqata ombrellë e industrisë finlandeze të energjisë, Finish Energy, tregoi se rreth 50% e finlandezëve duan të rrisin pjesën e energjisë bërthamore në prodhimin total të energjisë.
Rreth 25% janë të kënaqur me përqindjen aktuale të energjisë bërthamore në përzierjen totale energjetike dhe vetëm 18% janë në favor të zvogëlimit të peshës së energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike.