Gazi rus në gazsjellësin Yamal në kufirin gjermano-polak, është ndërprerë prej gjashtë ditësh dhe po pompohet mbrapa në Poloni. Por cila është arsyeja e këtij incidenti? Rusët qortojnë Gjermaninë, polakët rusët.
Në nëntor, gazsjellësi ruso-evropian Yamal-Evropë transportonte 30 deri në 40 milionë metra kub gaz në Evropën Perëndimore çdo ditë. Por tani rusët nuk po pompojnë gaz në Gjermani, por po e kthejnë atë mbrapa.
Kjo ka vazhduar që nga e marta, kështu që tani për të gjashtën ditë radhazi. Si në nëntë ditë në fillim të nëntorit, gazi u pompua në drejtim të kundërt me Poloninë, në stacionin e kompresorit Mallnow (Brandenburg). Sipas të dhënave të publikuara në internet nga operatori i rrjetit të gazit Gascade, vëllimi i dërgesave ishte ulur ndjeshëm në tre ditët para të martës.
Fakti që gazi po rrjedh në drejtimin të kundërt në Mallnow, nuk është asgjë e pazakontë, tha një zëdhënëse e Gascade. Siç raporton agjencia e lajmeve Reuters , gazi ka rrjedhur drejt Polonisë të dielën me një vëllim prej 1.2 milionë kilovat orë.
Për ta vënë në perspektivë: rruga e ndjekur nga gazi rus përmes Polonisë nuk është aspak e parëndësishme. Në vitin 2020, 23 për qind e gazit rus arriti në Gjermani nëpërmjet Polonisë.
Putin: Gjermania po ia shet gazin Polonisë - dhe u ngritën çmimet
Arsyeja e veprimit të pompimit në mënyrë të gabuar është e paqartë. Të martën, Kremlini e përshkroi masën si një vendim ekonomik dhe jo politik. Nuk ka asnjë lidhje me mbushjen e pjesës së dytë të gazsjellësit të diskutueshëm të Detit Baltik, Nord Stream 2, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i agjencisë Interfax.
Presidenti rus Vladimir Putin shtoi të enjten se Gjermania po ia shet gazin Polonisë dhe Ukrainës. Kjo do të nënkuptonte se gjermanët ndikuan në rritjen më tej çmimit në një treg tashmë të mbinxehur. Reuters shkruan se Putini po mundohet, që për këtë Gjermanisë t´ia hudh fajin.
Gazprom fillimisht vetëm njoftoi se gazi do të shpërndahej sipas kërkesës dhe kontratave të lidhura. Një zëdhënës i kompanisë tha vonë të shtunën në mbrëmje: "Të gjitha akuzat kundër Rusisë dhe Gazpromit se ne nuk po furnizojmë mjaftueshëm gaz në tregun evropian janë absolutisht të pabaza, të papranueshme dhe të pavërteta". Ai gjithashtu dënoi ashpër rishitjen e gazit nga Gjermania në Poloni.
Polonia akuzon Gazpromin për "manipulim"
Por pse këto armë të forta? Qeveria polake këtë javë akuzoi Moskën se kishte ndaluar furnizimin e saj me gaz në Evropë, përmes tubacionit Yamal dhe akuzoi Gazprom për "manipulim". Gazprom nga ana e tij justifikoi ndalimin e gazit në drejtim të Polonisë, duke deklaruar se aktualisht nuk ka porosi. Është e mundur që Gjermania të ketë pompuar gaz në Poloni, sepse vendi fqinj ka marrë më pak dërgesa nga Rusia se zakonisht. Aktualisht është e paqartë se cilat janë arsyet e vërteta të fushatës së pompimit.
Shtetet perëndimore kanë akuzuar prej javësh Rusinë për reduktimin e furnizimit me gaz në Evropë, për të ushtruar presion politik në këtë mënyrë. Disa ekspertë e shohin procedurën si një përpjekje të Moskës për të detyruar tubacionin e diskutueshëm të Detit Baltik, Nord Stream 2, të hyjë në punë. Tensionet masive në kufirin ukrainas kanë shkaktuar gjithashtu mosmarrëveshje midis Rusisë dhe Perëndimit për javë të tëra.
Shefi i Gazprom: Mjaft gaz do të rridhte nga Nord Stream 2 - por vënia në përdorim nuk është ende në horizont
Agjencia Federale e Rrjetit, nuk e ka miratuar ende funksionimin nga Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani. Shefi i Gazprom, Alexei Miller tha të enjten se gazsjellësi i përfunduar, por ende i pa certifikuar, Nord Stream 2 do të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit. Më pas edhe e dyta nga dy linjat është mbushur plotësisht me gaz teknik për të nisur funksionimin. Një datë për vënien në punë të linjës së diskutueshme, nuk është në dukje.
Kjo është një nga arsyet pse Putini dëshiron të lidhë gazsjellësin me rrjetin sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të vonojë objektivat ambicioze të zvoglimit të CO2 në Evropën Perëndimore. Për momentin, Putin mund të sigurojë aksionet e Rusisë në tregun botëror të energjisë, vetëm me kontrata afatgjata të gazit.
Ministria Federale e Ekonomisë së Gjermanisë, po vëzhgon dërgesat e gazit "nga afër"
Ministria Federale e Ekonomisë tha të dielën se po vëzhgonte "nga afër" situatën në lidhje me furnizimin dhe sasitë e gazit. "Siguria e furnizimit është ende e garantuar," theksoi ministria në një komunikim për agjencinë e lajmeve AFP. Aktualisht nuk ka shenja të pengesave të furnizimit.
Sipas Agjencisë Federale të Rrjetit, rreth dy të tretat e gazit të importuar në Gjermani vijnë nga Rusia dhe vendet e CIS. Shumica e importeve të gazit që mbërrijnë në Gjermani, kalohen shpesh përmes Austrisë dhe Holandës.
Nga gjermanishtja, Sherif Ramabaja