Komisioni i BE-së dëshiron t'i klasifikojë investimet në termocentralet bërthamore dhe ato të gazit si ekologjike. Kusht është që sistemet të përmbushin standardet më të fundit teknike. Politikanët e gjelbër indinjohen.
BE-ja do që gazi dhe energjia bërthamore të klasifikohet nën kushte të caktuara si energji ekologjike. Në një projekt-rregullore të Komisionit Evropian, e cila sapo u bë publike shkruhet se "duhet pranuar se sektorët që punojnë me lëndë fosile si gazi dhe energjia bërthamore mund të kontribuojnë për dekarbonizimin e ekonomisë së Bashkimit Evropian".
Sipas projekt-rregullores investimet në centrale të reja bërthamore duhet të klasifikohen si të gjelbra, nëse termocentralet plotësojnë standardet më të fundit teknike. Një kusht tjetër është që objektet e reja bërthamore të marrin leje ndërtimi deri në vitin 2045.
Komisioni i BE-së do që këty dy forma energjie të përfshihen krahas teknologjive pa emetime dioksidi karboni, si enegjia e prodhuar nga era dhe dielli, në të ashtuquajturën taksonomi, e cila shërben si orientim për tregjet financiare, se cilat investime mbrojnë klimën dhe mjedisin.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/03/auto_60300204_4011641202601.jpg)
Zemërim tek politikanët e gjelbër
Projekt-rregullorja e re nga Brukseli u prit me zemërim nga politikanët e gjelbër dhe kundërshtarët e energjisë bërthamore, që ende janë duke festuar mbylljen në ditën e fundit të vitit që sapo lamë pas të tre termocentralëve bërthamorë në Gjermani.
Gjermania është kundër përfshirjes së energjisë bërthamorenë taksonomi, por e konsideron prodhimin e energjisë elektrike nga gazi si një teknologji të nevojshme tranzicioni drejt neutralitetit klimatik. Kurse për vende si Franca energjia bërthamore është një teknologji kyçe për një ekonomi pa CO2.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/03/auto_60297564_4011641202599.jpg)
Dy javë konsultime
Procesi i konsultimeve mes vendet anëtare të BE-së pritet të zgjasë rreth dy javë. Në mes të janarit Komisioni do të paraqesë më pas propozimin përfundimtar, i cili mund të ndryshojë nga propozimi i tanishëm.
Zbatimi i tij mund të parandalohet vetëm nëse një shumicë e cilësuar shtetesh anëtare e kundërshtojnë atë. Sipas kësaj e nevojshme është që të jenë të një mendjeje të paktën 15 vende të BE-së, të cilat përfaqësojnë të paktën 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së./DW/