Rekord rastesh të reja, por Portugalia vendos të hapet

Evropë

Rekord rastesh të reja, por Portugalia vendos të hapet

Më: 6 janar 2022 Në ora: 18:41
Portugali

Portugalia thotë se është e dukshme që Omicron nuk është aq i rrezikshëm dhe se vaksinimi ka qenë efektive, duke njoftuar lehtësimin e masave shtrënguese.

Duke filluar nga 14 janari, shkollat do të rihapen, po ashtu edhe lokalet e natës, pavarësisht se vendi, ashtu si pjesa tjetër e Europës po përjeton një rritje të fortë të rasteve të reja.

Kryeministri Antonio Costa tha se është e dukshme që Omicron është më pak shqetësues dhe se vaksinimi ka qenë efektiv.

“Për këtë arsye numri i të shtruarve në spital është ulur, po ashtu edhe i personave në terapi intensive dhe vdekjet”, tha Costa.

Portugalia regjistroi një numër rekord prej 40 mijë infeksionesh ditën e mërkurë. Të enjten numëroi 25 vdekje, shifër shumë herë më e vogël se 300 vdekjet ditore që ishte kulmi i valës së pandemisë të janarit të vitit të kaluar.

Nga 14 janari shfuqizohet gjithashtu edhe urdhri për të punuar nga shtëpia, ndërsa masat për test negativ anti-Covid për këdo që hyn në vend do të qëndrojnë në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat