Franca e njeh si gjenocid trajtimin e ujgurëve në Kinë

Evropë

Franca e njeh si gjenocid trajtimin e ujgurëve në Kinë

Më: 20 janar 2022 Në ora: 16:39
Kuvendi i Francës

Kuvendi i Francës të enjten e njohu si gjenocid trajtimin e pakicës ujgure në Kinë përmes një rezolute që rrezikon t’i tensionojë raportet mes Parisit dhe Pekinit vetëm dy javë para Lojërave Olimpike Dimërore.

Rezoluta jo-obligative, e miratuar me 169 vota për dhe vetë një kundër, u propozua nga socialistët e opozitës në dhomën e ulët të Kuvendit, por mori përkrahje edhe nga Presidenti Emmanuel Macron, shkruan France24.

Në rezolutë shkruhet se Asambleja Kombëtare “zyrtarisht njeh që dhuna e kryer nga Republika Popullore e Kinës kundër ujgurëve përbën krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

Rezoluta gjithashtu i bën thirrje qeverisë franceze që t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme brenda komunitetit ndërkombëtar dhe një politikat e saj të jashtme ndaj Republikës Popullore të KInës” për ta mbrojtur këtë komunitet pakicë në rajonin Xinjiang.

Kjo rezolutë erdhi pas një veprimi të ngjashëm në Britani të Madhe në prill të vitit të kaluar. Kina e kishte dënuar miratimin e rezolutës në Britani.

Në shkurt të vitit 2021, edhe kuvendet e Holandës dhe Kanadasë e quajtën gjenocid trajtimin e ujgurëve në Kinë. Një gjë të tillë e ka bërë edhe ShBA-ja, kur president i saj ishte miliarderi Donald Trump.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat