(E plotësuar 12.09) Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e dy efektivëve të policisë në Gjermani teksa ndodheshin në detyrë duke patrulluar në rrugë.
Mediat bëjnë me dije se ata janë një 24-vjeçare dhe kolegu i saj 29-vjeçar. Dy të rinjtë u qëlluan teksa ndodheshin në detyrë në rrethin Kusel në Rheinland-Pfalz.
Ata kishin ndaluar për kontroll një automjet të dyshimtë dhe kishin raportuar në radio.
Pak momente më vonë erdhi edhe mesazhi i tyre i fundit. “Po na qëllojë” thanë ata dhe menjëherë sinjali u ndërpre
***
Dy policë janë vrarë në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 janar në rrethin Kusel në Rheinland-Pfalz, Gjermani.
Ishte një kontroll normal patrullimi që përfundoi fatal për policen 24-vjeçare dhe policin 29-vjeçar.
Detajet e ngjarjes janë ende të paqarta. Në patrullë rutinë kanë qenë zyrtarët nga Inspektorati Policor i Kuselit.
"Ata u qëlluan gjatë një kontrolli rutinë në Rrugën e Qarkut 22 në Ulmet rreth orës 4:20 të mëngjesit," bëjnë me dije mediet gjermane.
Sipas informacioneve të BILD, në mesazhin e parë radiofonik që zyrtarët dërguan thuhej se kishin ndaluar një automjet të dyshimtë. Më pas ata zbuluan gjahun e ngordhur në bagazh dhe do të kryenin një inspektim.
Por menjëherë pas kësaj, papritur vjen mesazhi i dytë në radio.
"Ata po qëllojnë mbi ne!" Kontakti i radios me ekuipazhin e patrullës u ndërpre.
Policia ka shkuar në vendngjarje. Sipas informacioneve të BILD, policja ishte e vdekur në momentin e mbërritjes së kolegëve të saj, ndërsa 29-vjeçari ka ndërruar jetë pak më vonë.
Për shkak të mesazhit që mbërriti në radio "Ata po qëllojnë mbi ne", policia dyshon se kanë qenë të paktën 2 autorë.
Dyshohet se mund të kenë qenë gjuetarë pa leje të cilët kishin armët me vete.
Bernhard Christian Erfort, zëdhënës i policisë së Pallatinit Perëndimor tha për BILD: “Kolegët njoftuan përmes radios se po kontrollonin një automjet. Menjëherë pas kësaj, ata raportuan se kishte të shtëna. Më pas kolegët gjetën njërin të vdekur dhe njërin të plagosur, i cili vdiq më vonë."
Autorët e arratisur aktualisht janë në kërkim. Në vendngjarje janë siguruar gjurmët. Sipas informacioneve nuk ka asnjë përshkrim të autorëve apo mjetit të arratisjes së përdorur. Nuk dihet ende drejtimi i arratisjes.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/January/31/auto_-640-0-10w993qhighc0bild-16436216941643621803.jpg)