Stoltenberg, shef i ri i Bankës Qendrore të Norvegjisë

Evropë

Stoltenberg, shef i ri i Bankës Qendrore të Norvegjisë

Më: 4 shkurt 2022 Në ora: 13:02
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg .

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të bëhet shefi i ri i Bankës Qendrore të Norvegjisë, tha qeveria të premten më 4 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të opozitës se emërimi i ish-kryeministrit mund të dobësojë pavarësinë e këtij institucioni.

Stoltenberg, përpara se të nisë punën në drejtim e Bankës Qendrore të Norvegjisë ka thënë se do të përfundojë mandatin e tij në NATO që mbaron në fund të muajit shtator të këtij viti.

Stoltenberg do të jetë përgjegjës për përcaktimin e normave të interesit dhe menaxhimin e stabilitetit financiar, si dhe mbikëqyrjen e fondit të pasurisë sovrane të Norvegjisë, më i madhi në botë me asete prej 1.4 trilion dollarësh.

“Unë kam qenë shumë i shqetësuar në procesin e identifikimit të guvernatorit më të mirë të Bankës Qendrore të Norvegjisë dhe jam i bindur se ky është Jens Stoltenberg”, tha në një deklaratë ministri i Financave, Trygve Slagsvold Vedum, raporton Reuters.

Stoltenberg, një ekonomist me profesion dhe ish-udhëheqës i Partisë Laburiste, ishte kryeministër i Norvegjisë në periudhat 2000 - 2001 dhe 2005 - 2013 para se të bëhej shef i NATO-s.

Ai ka qenë, gjithashtu, ministër i Financave dhe ministër i Energjisë.

Ida Wolden Bache, zëvendësshefe e Bankës Qendrore dhe rivalja kryesore e Stoltenbergut për këtë pozitë, do të jetë guvernatore në detyrë derisa Stoltenbergu të marrë zyrtarisht detyrën, tha Qeveria norvegjeze.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat