Sa do të ishte numri i viktimave në rast të luftës në Ukrainë? Media amerikane nxjerr shifra

Evropë

Sa do të ishte numri i viktimave në rast të luftës në Ukrainë? Media amerikane nxjerr shifra

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 10:46
Rusia aktualisht ka 83 grupe taktike batalionesh të vendosura pranë Ukrainës

Shërbimet inteligjente po i masin përmasat tragjike që do t’i pësonin njerëzit në rast të ndonjë lufte në Ukrainë, pranë së cilës Rusia vazhdon t’i mbajë qindra-mijëra trupa dhe automjete ushtarake të gatshme për sulm.

Rritja e trupave ruse pranë Ukrainës e ka rritur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mijëra civilë do të vriteshin ose plagoseshin nëse Rusia vazhdon t’i shtojë forcat dhe të kryjë sulme të gjithanshme, tregojnë vlerësimet e SHBA-së, raporton gazeta amerikane, The Wall Street Journal.

Rusia aktualisht ka 83 grupe taktike batalionesh të vendosura pranë Ukrainës, një rritje e konsiderueshme nga 53 grupe sa i kishte në dhjetor dhe 60 muajin e kaluar, thuhet në vlerësimet e inteligjencës amerikane.

Image
3,000 deri në 10,000 trupa ruse dhe 5,000 deri në 25,000 trupa ukrainase do të vriteshin ose plagoseshin

Nëse Rusia vazhdon t’i shtojë forcat e saj dhe më pas kryen një sulm të gjithanshëm në përpjekje për ta pushtuar gjithë Ukrainën, 25,000 deri në 50,000 civilë do të vriteshin ose plagoseshin, sipas projektsionit të shërbimeve të inteligjencës amerikane. Shkalla e numrit të të vrarëve dhe të plagosurve do të varej nga fakti se sa shumë luftime do të ketë në zonat urbane.

Sipas vlerësimeve, 3,000 deri në 10,000 trupa ruse dhe 5,000 deri në 25,000 trupa ukrainase do të vriteshin ose plagoseshin. Një milion deri në pesë milion ukrainas do të zhvendoseshin, theksojnë këto vlerësime.

Image
Grumbullimet ruse

Rritja e numrit të ushtarëve rusë erdhi pasi përpjekjet diplomatike për ta zbutur tensionin e shkaktuar nga Rusia dështuan ta ngushtojnë mosmarrëveshjen e mprehtë mes palëve. Sipas analistëve amerikanë, Kremlini duket se po i hedh themelet politike për veprime të mundshme ushtarake më tej.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat