Rusia është e gatshme ta pushtojë Ukrainën, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes në Ukrainë

Evropë

Rusia është e gatshme ta pushtojë Ukrainën, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes në Ukrainë

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 17:21
Foto ilustrim

Rusia tani ka mjaft trupa për të pushtuar kryeqytetin ukrainas, Kiev, apo një qytet tjetër, por forcat e Moskës nuk janë ende të mjaftueshme për një pushtim të plotë të vendit, sipas ish-ministrit të mbrojtjes së Ukrainës, Andriy Zagorodnyuk.

Zagorodnyuk tha se situata dukej shumë e tmerrshme.

“Rusia tani mund të pushtojë çdo qytet në Ukrainë. Por ne ende nuk i shohim 200 mijë trupat e nevojshme për një pushtim në shkallë të plotë”, tha ai.

Zagorodnyuk tha se rreshtimi i trupave ruse po vazhdonte sipas “linjave të teksteve shkollore”, por se qëllimet dhe strategjia e Kremlinit mbetën të errëta.

“Ne nuk shohim një përfundim politik këtu. Nëse Putin pushton Kievin, do të ketë luftë në shkallë të gjerë. Forcat e ushtrisë ukrainase do të luftojnë. Do të ketë rezistencë të madhe për të gjitha kohërat”.

“Do të ketë gjak, sanksione. Askush nuk ka nevojë për atë lloj lufte ndërkombëtare në Evropë tani”.

ShBA tha se Moska kishte grumbulluar të paktën 70 përqind të fuqisë që i nevojitet për t’i dhënë Vladimir Putinit opsionin e një operacioni të madh ushtarak deri në mes të shkurtit.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një sulm i plotë rus mund të çojë në kapjen e shpejtë të Kievit dhe potencialisht të rezultojë në 50 mijë civilë të vrarë ose të plagosur.

Ata thanë se ushtria ruse kishte pozicionuar tani 83 grupe taktike batalioni pranë Ukrainës, secili me nga 750 deri në 1000 ushtarë, raporton Guardian.

Zagorodnyuk tha se administrata e SHBA-së kishte të drejtë kur publikoi inteligjencën rreth planeve dhe aftësive ruse. Të enjten, zyrtarët amerikanë pretenduan se kishin prova të një komploti të përpunuar nga Kremlini për të bërë një video false “shumë grafike” të një sulmi ukrainas si pretekst për një pushtim ushtarak.

Nga e enjtja, Rusia do të organizojë stërvitje të mëdha ushtarake me Bjellorusinë, në distancë goditëse nga Kievi. Në total, tani ka 135 mijë trupa ruse në kufirin e Ukrainës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat