Drejtuesja e Greenpeace Jennifer Morgan në MPJ e Gjermanisë

Evropë

Drejtuesja e Greenpeace Jennifer Morgan në MPJ e Gjermanisë

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 08:19
Jennifer Morgan, nënshtetase amerikane

Jennifer Morgan, nënshtetase amerikane, është mikeshë e ministres së Jashtme gjermane. Ajo do të jetë përfaqësuesja speciale e Gjermanisë për politikën ndërkombëtare për klimën.

Sipas informacioneve nga qarqet qeveritare drejtuesja e organizatës mjedisore ndërkombëtare Greenpeace, Jennifer Morgan, do të punojë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Përfaqësues të qeverisë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se ajo do të bëhet përfaqësueja speciale e Gjermanisë për politikën ndërkombëtare për klimën pranë Ministrisë së Jashtme.

Drejtuese e Greenpeace që nga viti 2016

Annalena Baerbock do t’ua prezantojë mikeshën e saj, Jennifer Morgan, mediave gjatë ditës së sotme (09.02). Aktivistja e mjedisit nga SHBA, e cila është eksperte për klimën, ka punuar për dekada për organizata joqeveritare dhe drejton Greenpeace që nga viti 2016.

Image
Aktivistë të Greenpeace dhe FFF duke protestuar me maskën e Annalena Baerbock gjatë bisedave për krijimin e qeverisë së re gjermane

Në të ardhmen detyra e saj do të jetë kryesisht përfaqësimi i Gjermanisë në konferencat vjetore botërore të klimës. Në qeverinë e re gjermane politika ndërkombëtare për klimën kaloi nga kompetencë e Ministrisë së Mjedisit në atë të Ministrisë së Jashtme. 

Post dhe privilegje si nëpunëse civile

Sipas njoftimeve të revistës “Spiegel”, 55-vjeçarja Morgan do të marrë një post si Sekretare Shteti në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Por për t'u bërë nëpunëse civile me të drejtat dhe privilegjet përkatëse, p.sh. për pensionin, ajo duhet së pari të marrë nënshtetësinë gjermane. 

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Njoftohet se Jennifer Morgan e ka bërë ndërkohë kërkesën përkatëse për të marrë nënshtetësinë gjermane dhe ajo është duke u përpunuar.Jenifer Morgan dhe ministrja Annalena Baerbock njihen mirë me njëra-tjetrën nga takimet e shumta ndërkombëtare për klimën./DW

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat