Studiuesi francez, Luc Montagnier, i cili fitoi çmimin Nobel në 2008 për zbulimin e virusit HIV, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, thanë zyrtarët e qeverisë lokale në Francë.
Montagnier vdiq të martën në Spitalin Amerikan të Parisit në Neuilly-sur-Seine, teksa detaje të tjera nuk janë bërë të ditura, shkruan Euronews.
Montagnier, një virolog, drejtoi ekipin që në 1983 identifikoi virusin e mungesës së imunitetit njerëzor (HIV) që shkakton SIDA-n, duke bërë kështu që të shpërblehet me çmimin Nobel të vitit 2008 në mjekësi me kolegen e tij, Francoise Barré-Sinoussi.
Ministrja franceze për Arsimin e Lartë dhe Kërkim, Frederique Vidal, vlerësoi punën e Montagnier mbi HIV në një deklaratë me shkrim të enjten dhe shprehu ngushëllimet e saj për familjen e tij.
Montagnier lindi në vitin 1932 në fshatin Chabris në Francën qendrore.
Sipas autobiografisë së tij në faqen e internetit të Çmimit Nobel, Montagnier studioi mjekësi në Poitiers dhe Paris. Ai tha se zbulimet e fundit shkencore në vitin 1957 e frymëzuan atë për t’u bërë një virolog në fushën e avancuar me shpejtësi të biologjisë molekulare.
Ai iu bashkua Qendrës Kombëtare për Kërkime Shkencore (CNRS) në 1960 dhe u bë kreu i departamentit të virologjisë të Institutit Pasteur në 1972.
“Përfshirja ime në SIDA filloi në 1982, kur qarkulloi informacioni se një agjent i transmetueshëm – ndoshta një virus – mund të ishte në origjinën e kësaj sëmundjeje të re misterioze,” tha Montagnier në autobiografinë e tij.