​Ministrja e Jashtme britanike: Rusia mund ta zvarritë krizën në Ukrainë

Evropë

​Ministrja e Jashtme britanike: Rusia mund ta zvarritë krizën në Ukrainë

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 10:38
Liz Truss

Rusia mund ta zvarritë krizën në Ukrainë për javë apo edhe muaj, në një përpjekje për të minuar unitetin perëndimor, paralajmëroi ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Truss tha se ishte thelbësore që “të mos mbyllim një sy në një ndjenjë të rreme sigurie nga pretendimet e Moskës”.

Paralajmërimi i saj erdhi pasi shefi i shërbimit sekret ushtarak britanik tha se në kundërshtim me pretendimet e Kremlinit, Rusia me të vërtetë po vazhdon të lëvizë forcat në zonën kufitare, raporton atsh.

Gjenerallejtënant Jim Hockenhull tha se automjete shtesë të blinduara, helikopterë dhe një spital fushor janë parë në zonë.

Në një deklaratë ai shtoi se në kundërshtim me pretendimet e tyre, Rusia vazhdon të zhvillojë aftësitë ushtarake pranë Ukrainës.

“Kjo përfshin pamjet e automjeteve të blinduara shtesë, helikopterëve dhe një spital fushor që lëviz drejt kufijve të Ukrainës. Rusia ka kapacitetin ushtarak për të pushtuar Ukrainën”, ka thënë ai.

Duke shkruar në “Daily Telegraph”, Truss, e cila do të vizitojë Ukrainën dhe Poloninë këtë javë, tha se nuk ka asnjë provë që Moska është gati të tërhiqet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat