Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë të ditur se ka ndaluar punimet në gazsjellësin “Nordstream 2” pas veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
Por, çfarë është Nord Stream 2?
Nord Stream 2 është një tub i gjatë 1200 kilometër nën Detin Baltik, i cili do të çojë gazin nga bregu rus pranë Shën Petersburgut në Lubmin në Gjermani.
Ai kushtoi 10 miliardë euro dhe u përfundua shtatorin e kaluar. Gjiganti shtetëror rus i energjisë Gazprom pagoi gjysmën e kostos dhe firmat perëndimore të energjisë si Shell dhe ENGIE të Francës po paguajnë pjesën tjetër.
Nord Stream 2 shkon paralelisht me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili ka funksionuar që nga viti 2011, shkruan BBC.
Së bashku, këto dy tubacione mund të dërgojnë 110 miliardë metra kub gaz në Evropë çdo vit. Kjo është mbi një të katërtën e të gjithë gazit që vendet e Bashkimit Evropian përdorin çdo vit.