Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, deklaroi se të gjithë ukrainasit do të luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre përballë një pushtimi rus.
“Fryma luftarake e ushtrisë ukrainase është e lartë”, tha Markarova në një konferencë shtypi në Uashington, DC, shkruan CNN.
“Ne po luftojmë. Ne do të luftojmë. Ne, jo vetëm ushtria jonë e guximshme dhe e motivuar, por të gjithë ukrainasit, po mbrojmë shtëpitë tona dhe nuk do të ndalemi”, tha ajo.
Markarova shprehu falënderime për presidentin amerikan, Joe Biden. për deklaratën e menjëhershme që erdhi disa minuta pas vendimit të (presidentit rus Vladimir) Putin për të shkuar në këtë ofensivë, si dhe aleatët e tjerë të cilët lëshuan deklarata në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Ne e vlerësojmë të gjithë mbështetjen. Dëgjojmë të gjithë mbështetjen. Është shumë e rëndësishme për ne”, tha ajo.
“Por është gjithashtu koha për të vepruar. Dhe ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë menjëherë”, tha ajo.