194 numri i ukrainasve të vrarë nga ushtria ruse

Evropë

194 numri i ukrainasve të vrarë nga ushtria ruse

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 14:13
Pamje nga Ukraina

Ka shkuar në 194 numri i ukrainasve të vrarë nga sulmet e trupave ruse, që kanë nisur prej mëngjesit të kaluar dhe vijojnë ende, teksa tashmë kanë rrethuar Kievin.

Ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, raporton se deri më tani janë vrarë 194 ukrainas, mes të cilëve 57 civilë.

Mëngjesin e sotëm, Presidenti i Ukrainës, Zelenskiy, tha se Rusia rifilloi sulmet me raketa në orën 4 të mëngjesit të 25 shkurtit, por trupat e saj ishin ndaluar të përparonin në shumicën e drejtimeve. Shpërthimet u dëgjuan nga Kievi herët më 25 shkurt, ndërsa sirenat ajrore ranë.

“Ata po vrasin njerëz dhe po i kthejnë qytetet paqësore në objektiva ushtarake. Është e keqe dhe nuk do të falet kurrë”, tha Zelenskiy.

Zelenskiy tha se pavarësisht humbjeve, forcat e armatosura të Ukrainës po “mbronin shkëlqyeshëm vendin kundër një prej kombeve më të fuqishme në botë”. 

Rusia filloi pushtimin e Ukrainës para agimit të 24 shkurtit, duke lëshuar sulme ajrore mbi qytete dhe baza ushtarake dhe duke dërguar trupa dhe tanke nga shumë drejtime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat