Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, presidencën e të cilit e mban Italia, ka marrë vendimin për përjashtimin e Federatës Ruse nga anëtarësimi i saj, në zbatim të nenit 8 të Statutit të Këshillit të Evropës.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës bëhet e ditur se në përputhje me Statutin e Këshillit, Komiteti i Ministrave ka vendosur sot të pezullojë Federatën Ruse nga e drejta e përfaqësimit në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare me efekt të menjëhershëm si rezultat i sulmit të armatosur të Federatës Ruse në Ukrainë.
Vendimi i miratuar sot do të thotë se Federata Ruse mbetet anëtare e Këshillit të Evropës dhe palë në konventat përkatëse të Këshillit të Evropës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Bëhet e ditur se gjyqtari i zgjedhur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me Federatën Ruse gjithashtu mbetet anëtar i Gjykatës dhe kërkesat e paraqitura kundër Federatës Ruse do të vazhdojnë të shqyrtohen dhe vendosen nga Gjykata.
Pezullimi nuk është një masë përfundimtare, por një masë e përkohshme, duke lënë të hapura kanalet e komunikimit.