Ukraina është në gjendje lufte. Kjo pasi Rusia dje ka filluar agresionin ushtarak ndaj këtij shteti.
Jonas Skovrup Christensen, banor i Kievit ka thënë se tashmë e dinin që sirenat, alarmet dhe bombardimet do të vazhdojnë.
“Sot në mëngjes, ne kemi qenë duke bërë përpjekje për të fjetur, mirëpo në mëngjes ka pasur përsëri eksplodime dhe në shtatë të mëngjesit kemi pasur sirena në qytet, ka eksplodime të rënda, është sikur një gjëmim i madh, disa herë më intensivisht, e herë të tjera më rrallë, por shumicën e kohës i dëgjojmë në vazhdimësi. Momentalisht jemi të vetëdijshëm që në këtë zonë ka tanke ruse, forcat ukrainase me pak fjalë janë duke mbrojtur Ukrainën dhe siç mund ta shohim me gjithçka që kanë”, ka thënë ai.
Ai jeton nga viti 2016 në Ukrainë dhe thotë se nuk e ka paramenduar asnjëherë që vendi i tij do të ballafaqohet me luftë.
Christensen shprehet i zemëruar, sepse thotë që Ukraina po ballafaqohet e vetme me vendin e fuqishëm të Rusisë.
Shpresa e tyre e vetme është ushtria ukrainase që po lufton duke shpërfillur fuqinë e vendit me mbi 140 milionë banorë.
“Në realitet ata janë duke u afruar, është po afrohet edhe në qendër dhe normalisht që thellë-thellë shpresoj që forcat ukrainase do të vazhdojnë të mbrojnë pjesën qendrore dhe të mbajnë larg nga ushtria ruse. Por natyrisht do të shohim se çfarë do të ndodhë dhe në çfarë drejtimi po shkon gjithçka.Është çështje kohe para se të ndryshojnë gjërat këtu, por shpresoj fuqishëm që ushtria do ta menaxhojë të mbrojë qytetin dhe shtëpinë time”, ka thënë më tutje ai.
Ky qytetar tregon që mijëra ukrainas po largohen nga vendi.
Mirëpo Christensen po ballafaqon akoma faktet nëse duhet të qëndrojë apo të largohet.
“Njerëzit janë duke u larguar, shoqëria jonë është duke ikur, disa njerëz po tentojnë të largohen jashtë vendit, por njëkohësisht nuk e dimë situatën e sigurisë në kufi, dhe nuk dimë nëse mund t’ja dalim me këto pak rezerva të naftës. Kështu që kemi disa pyetje që duhet të shqyrtojmë, jetoj në një është më sigurt për momentin që po flasim, është më e sigurtë të qëndrojmë se sa të largohemi”, deklaroi ai.
E tashmë në Ukrainë janë duke u organizuar edhe aksione për dhurimin e gjakut për të lënduarit nga lufta.
Danezi i cili banon në Ukrainë prej vitesh për shkak se gruaja e tij është nga ky vend, thotë se gjatë së premtes gjendja e rrugëve është më e qetë dhe nuk ka shumë qarkullim të njerëzve.