Në ҫastin kur e gjithë kjo filloi, herët në një mëngjes të zymtë më 24 shkurt, sulmi kundër Ukrainës i urdhëruar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte arritur një pashmangshmëri të pështirë.
Megjithatë, asgjë që lidhet me këtë luftë nuk ishte e pashmangshme. Ky është një konflikt i krijuar tërësisht prej tij. Nga luftimet dhe mjerimi që do të pasojë, do të derdhet shumë gjak i popullit të Ukrainës dhe të Rusisë. Çdo pikë e këtij gjaku do të jetë në duart e Putinit.
Për muaj të tërë, teksa Putin po qëndronte i heshtur, duke grumbulluar afërsisht 190,000 trupa ruse në kufijtë me Ukrainën, pyetja ishte: çfarë do ky njeri? Tani që është e qartë se ai do luftë, pyetja është: ku do të ndalet?
Nëse dëgjojmë Putinin në periudhën në prag të pushtimit, ai do të donte që bota të besonte se ky njeri nuk do të ndalej para asgjëje. Në fjalimin e tij të betejës, të regjistruar më 21 shkurt dhe të publikuar në momentin kur lëshoi breshëritë e para të raketave kundër vëllezërve të tij sllavë, presidenti rus hodhi kritika të ashpra ndaj “perandorisë së gënjeshtrave”, duke iu referuar Perëndimit.
Nëpërmjet kërcënimit me arsenalin e tij bërthamor, ai deklaroi në mënyrë të prerë se do të “shpartallonte” çdo vend që do t’i dilte përballë në rrugën e tij.
Raportet paraprake, disa prej të cilave ishin të pakonfirmuara, vetëm sa nënvizuan shkallën e ambicies së tij. Kishte spekulime se presidenti i Rusisë mund të mjaftohej me kontrollin e Donetsk dhe Luhansk, rajone të Ukrainës lindore që përmbajnë enklava të vogla të mbështetura nga Rusia, të cilat ishin objekt i diplomacisë së minutës së fundit.
Por, të gjitha këto pretendime tashmë kanë rënë përballë këtij sulmi të madh. Raportet thonin se forcat tokësore ruse po marshonin nga lindja, duke u drejtuar për në Kharkiv, qytetin e dytë më të rëndësishëm të Ukrainës; nga jugu, duke u nisur nga Krimea drejt Khersonit; dhe nga Bjellorusia në veri, duke iu drejtuar Kievit, kryeqytetit. Ishte e paqartë se sa ishin forcat që po marshonin.
Por Putin, me sa duket, dëshiron të marrë të gjithë Ukrainën, ashtu siç kishin pohuar raportet e inteligjencës amerikane dhe britanike gjatë gjithë kësaj kohe. Në këtë aktrim, ai ka lënë mënjanë llogaritë e rreziqeve dhe përfitimeve politike të ditës. Në vend të kësaj, ai shtyhet nga ideja e rrezikshme dhe delirante se raporti i tij është me historinë.
Kjo është arsyeja pse, nëse Putin arrin të marrë një pjesë të madhe të Ukrainës, grumbulluesi i këtyre tokave nuk do të ndalet për të bërë paqe në kufijtë e rinj. Ai mund të mos pushtojë vendet e NATO-s që dikur kanë qenë pjesë e perandorisë sovjetike, ose të paktën nuk do ta bëjë këtë menjëherë.
Por, i fryrë nga fitorja, ai do t’i bëjë këto vende shënjestra të sulmeve kibernetike dhe të luftës së informacionit, duke mos arritur pragun e konfliktit.
Kjo do të jetë mënyra sesi Putin do ta kërcënojë NATO-n, sepse ai ka arritur në konkluzionin se NATO përbën kërcënim për Rusinë dhe popullin e saj. Në një dalje në fillim të kësaj jave, ai u shpreh i indinjuar me zgjerimin e aleancës drejt lindjes.
Më vonë, ai denoncoi një “gjenocid” fiktiv që, sipas tij, po sponsorizohet nga Perëndimi në Ukrainë. Putin nuk ka sesi t’i thotë popullit të vet që ushtria e tij po lufton kundër vëllezërve dhe motrave të tyre ukrainase, të cilët kanë fituar lirinë. Prandaj, ai po u thotë atyre se Rusia po lufton kundër Amerikës, NATO-s dhe përfaqësuesve të saj.
E vërteta
E vërteta e neveritshme është se Putin ka nisur një sulm të paprovokuar ndaj një vendi sovran fqinj. Ai është i fiksuar pas aleancës mbrojtëse që shtrihet në perëndim të këtij vendi sovran. Dhe kështu, ai po shkel parimet bazë që garantojnë paqen në shekullin e 21-të. Kjo është arsyeja pse bota duhet të vendosë një çmim të rëndë për agresionin e tij.
Kjo fillon me sanksione masive ndëshkuese ndaj sistemit financiar të Rusisë, ndaj industrisë së saj të teknologjisë së lartë dhe elitës së saj të pasur. Pak para pushtimit, kur Rusia njohu pavarësinë e dy republikave në Ukrainë, Perëndimi kishte vendosur vetëm disa sanksione modeste.
Tani, nuk duhet të hezitojë më. Edhe pse Rusia ka vendosur të ndërtojë një ekonomi të pavarur që plotëson nevojat e veta, vendi vazhdon të jetë i lidhur me botën dhe, siç tregon rënia fillestare prej 45% në bursën e Rusisë, do t’i duhet që të vuajë.
Është e vërtetë, sanksionet do të dëmtojnë gjithashtu edhe Perëndimin. Çmimet e naftës u rritën duke tejkaluar 100 dollarë për fuçi gjatë pushtimit. Rusia është furnizuesi kryesor i Europës për gazin. Ajo eksporton metale si nikel dhe paladium dhe, së bashku, me Ukrainën eksportojnë shumë grurë. Të gjitha këto do të sillnin probleme në një kohë kur ekonomia botërore po përballet me inflacionin dhe me problemet në zinxhirët e furnizimit.
E megjithatë, aq sa do të dëmtohet Perëndimi, po aq i fortë do të jetë edhe mesazhi që i dërgohet Putinit se fakti që Perëndimi është gati të përballet me pasojat e sanksioneve tregon se nuk i toleron shkeljet e tij.
Detyra e dytë është përforcimi i krahut lindor të NATO-s. Deri më tani, aleanca ka tentuar të sillet në përputhje me paktin e nënshkruar me Rusinë në vitin 1997, i cili kufizon operacionet e NATO-s në vendet e ish-bllokut sovjetik.
NATO duhet ta grisë këtë marrëveshje dhe ta përdorë lirinë që do t’i sillte ky akt për të vendosur trupat e veta në lindje. Kjo do të marrë kohë. Nga ana tjetër, NATO duhet të provojë unitetin dhe qëllimin e saj, duke vendosur menjëherë forcën e saj të reagimit të shpejtë prej 40,000 trupash në shtetet e vijës së frontit.
Këto trupa do të shtojnë besueshmërinë ndaj doktrinës së saj se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve. Gjithashtu, kjo do t’i japë një sinjal Putinit se sa më thellë ai të hyjë në Ukrainë, aq më shumë gjasa ka që të forcohet prania e NATO-s në kufirin e saj – duke sjellë kështu efektin tërësisht të kundërt të synimit të tij.
Dhe, për më tepër, bota duhet ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë veten dhe popullin e saj. Ata do të mbajnë barrën e vuajtjes. Vetëm pak orë pas fillimit të luftës, nisën të vijnë raportet e para për humbjet e jetëve të ushtarakëve dhe të civilëve.
Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që të rezistojnë. Ata duhet të zgjedhin sesi dhe ku do të zmbrapsin Putinin dhe ushtrinë e tij, nëse ai vendos një qeveri kukull në Kiev.
NATO nuk është gati të dërgojë trupa në Ukrainë – dhe me të drejtë, për shkak të frikës nga një konfrontim midis fuqive bërthamore. Por, anëtarët e saj duhet të ndihmojnë Ukrainën, duke i ofruar armë, para dhe strehim për refugjatët si dhe nëse është e nevojshme, një qeveri në mërgim.
Disa mund të thonë se është shumë e rrezikshme që të sfidosh Putinin me këto mjete – sepse ai ka humbur lidhjen me realitetin, ose sepse kjo do të përshkallëzonte veprimet e tij, do të sillte një reagim të pallogaritur mirë ose do ta shtynte që të drejtohej nga Kina.
Kjo në vetvete do të ishte një llogari e gabuar. Pas 22 vitesh në pushtet, edhe një diktator me një sens të stërzhvilluar për fatin e vet, e ka ndjesinë e mbijetesës dhe të humbjes së fuqisë. Shumë rusë, duke qenë të paqartë në lidhje me një krizë që erdhi nga hiҫi, mund të mos jenë entuziastë për të zhvilluar një luftë vdekjeprurëse kundër vëllezërve dhe motrave të tyre në Ukrainë. Kjo është diçka që Perëndimi mund ta shfrytëzojë.
Dhënia e komfortit për Putinin, duke shpresuar se ai do të fillojë të sillet mirë, do të ishte akoma më e rrezikshme. Edhe Kina duhet ta kuptojë se një njeri që tërbohet përtej kufijve të vet është një kërcënim për stabilitetin që vetë Kina kërkon.
Sa më i lirë të jetë Putin për të përparuar sot, aq më i vendosur do të jetë ai për të imponuar vizionin e tij nesër. Dhe aq më shumë gjak do të duhet të derdhet për ta ndaluar atë përfundimisht. f